Art Jetese

Cilët janë faktorët që ndikojnë te prodhimi i tepërt i hormonit të stresit?

Njerëzit që vuajnë nga stresi, kanë gjithnjë nivele të larta të kortizolit.

Kortizoli është një hormon që prodhohet në mënyrë natyrale në organizëm dhe nxirret nga gjëndrat mbiveshkore.

Ky hormon luan një sërë rolesh ku përfshihet: mirëmbajtja e tensionit të gjakut, sheqerit në gjak dhe rregullimi i metabolizmit.

Nivelet e kortizolit janë të luhatshme gjatë ditës. Ato rriten ndjeshëm në mëngjes dhe ulen në mesnatë.

Rritja e nivelit të kortizolit mundësohet si pasojë e një sërë faktorësh ku përfshihen: Stresi kronik, stresi akut, stresi fizik, stresi psikologjik.

Studimet konfirmojnë se gratë dhe vajzat janë më të predispozuara të vuajnë nga stresi psikologjik dhe rrjedhimisht vuajnë nga nivele më të larta të kortizolit se djemtë dhe burrat.

Cila është lidhja mes kortizolit dhe mbipeshës

Sipas studimeve, organizmi i grave dhe vajzat që janë mbipeshë (sidomos në pjesën e barkut), ka nivele më të larta kortizoli gjatë një situate stresuese se sa ato që kanë depozita dhjamore në pjesën e ijeve.

Obezitet i përqendruar në zonën abdominale rrit gjithashtu rrezikun e sëmundjeve kronike siç janë ato të zemrës dhe diabeti i tipit 2.

Ekspertët besojnë se kur një person është shumë i stresuar, niveli i lartë i kortizolit e shtyn atë të konsumojë më shumë ushqim por të djegë më pak kalori, shkruan agroweb.

Përpos të tjerave, nivelet e larta të kortizolit rrisin tensionin e gjakut, e bëjnë njeriun më të acaruar, shkaktojnë pagjumësi dhe rrisin ndjeshëm nivelin e sheqernave në gjak.

Si të luftoni stresin nëpërmjet ushqyerjes

Ekspertët këshillojnë që të konsumoni perime me fibër dhe yndyra të shëndetshme siç është vaji i ullirit.

Proteina është gjithashtu një element i rëndësishëm i një regjimi ushqimor të përshtatshëm kundër stresit.

Atë mund ta gjeni tek mishi i pulës dhe veza.

Ekspertët gjithashtu rekomandojnë shmangien e ushqimeve dhe pijeve që kanë rol stimulues siç mund të jetë kafeina por edhe sheqeri, alkooli dhe karbohidratet e përpunuara.

/Shqip.com