Kulturë

Çeku tregon programin që do të ofrojë qasje elektronike në titujt e arkivuar në bibliotekat publike

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” u mbajt ceremonia e shpërndarjes së 394 titujve të librave dhe 19 revistave letrare për 32 biblioteka komunale.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, këto libra janë financuar nëpërmjet thirrjes publike për përkrahjen e botimit dhe blerjes së librave dhe revistave letrare. 

Ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku, gjatë ceremonisë ka treguar për programin “Rrjeti Bibliotekar në Republikën e Kosovës”, angazhim ky i përbashkët i MKRS, MASHTI dhe MAPL, i cili mbi të gjitha ka për qëllim lehtësimin e shkëmbimit të materialit bibliotekar në nivel vendi si dhe qasje në formë elektronike në titujt e arkivuar në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës dhe bibliotekat publike lokale.

Gjithashtu, Çeku ka ndarë titujt për bibliotekën e Preshevës, Bibliotekën e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe atë të komunës së Kamenicës.