OP-ED Kolumne

Byroja për konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar dhe sulmet ndaj Albulena Haxhiut!

Ilustrim
Xhevdet Pozhari
Xhevdet Pozhari

Publikuar:

Pa dyshim se ngjarja që la gjurmët më të rënda gjatë kësaj jave ishte tërmeti shkatërrimtar në brezin kufitar që ndanë Turqinë me Sirinë. Pasojat në njerëz tejkaluan edhe ngjarjen e kobshme të vitit 1999 duke bërë që ky tërmet të merrte jetën e mbi 20 mijë njerëzve.

Thuajse dyfishi i jetëve të humbura gjatë luftës në Kosovë. Mjaftuan disa sekonda që pamjet e tmerrshme të shfaqeshin gjithandej. Ndërtesa që shembeshin sikur të ishin ndërtuar prej letre. Tmerr, dhembje dhe pak shpresë për të shpëtuar ata që kishin mbetur nën rrënoja.

Shpëtimi i disa fëmijëve ndoshta ishte ngushëllimi i vetëm në këtë ngjarje, ku asistuan edhe njësitet e Forcave të Armatosura të Kosovës, si një simbolikë që miku i mirë të gjendet edhe në ditë të mirë, edhe në të vështirë!

Paralelisht me tërmetin shkatërrimtar, në Kosovë vazhduan disa “tërmete” të vogla politike që kryesisht kishin për “epiqendër” foltoren e Kuvendit të Kosovës. Aty, PDK dhe LDK po e luanin një lojë të dyfishtë për procesin e dialogut. Partitë që janë përgjegjëse thuajse për të gjitha zhvillimet që nga shpallja e pavarësisë, duke përfshirë edhe marrëveshjet ku figuron edhe obligimi për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, kishin zgjedhur të bënin “moralin publik”.

Ato po i kërkonin kryeministrit përgjegjësi për formatin dhe konceptin e dialogut. Njerëz që ndryshojnë qëndrimet siç i ndryshojnë njerëzit veshmbathjet në varësi të kushteve të motit, për një moment harruan presionin që jo shumë kohë më parë e bënin që Albin Kurti ta themelonte atë që njihet në opinion si “Zajednicë”, pa kushte. Madje, mburreshin me foto ku shiheshin me emisarë ndërkombëtar sikur kjo të ishte arritja e tyre kryesore. Dhe, mbase kishin të drejtë! Shumë politikanë do të mbahen mend veç për udhëtimet e panumërta, shpenzimet astronomike me taksa të qytetarëve dhe çmimit të vënë në kurriz të Kosovës.

Kjo edhe ngjalli reagimin e kryeministrit Kurti, i cili shkurt dhe qartë vuri në dukje standardet e dyfishta – ju kërkoi  që të njëjtin qëndrim ta mbanin ndaj Escobarit. Të flisnin edhe me të me gjuhën që i drejtoheshin kryeministrit të vendit. As më pak, e as më shumë. Se veç kështu do të mund ta mbronin Republikën!

Pra, këtë kërkesë ua shtronte njeriu i cili solli një standard të ri në politkbërje: Qëndrimet e njëjta t’i mbrojë nga cilido pozicion, qoftë në pozitë apo në opozitë.

Java do të përmbyllej me Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar, një premtim tjetër parazgjedhor i kësaj Qeverie. Ata që ishin pasuruar kundërligjshëm gjatë viteve kur uzurpohej dhe privatizohej pamëshirshëm prona publike, kishte ardhur koha të justifikonin veprimet e tyre. Dhe, jo vetëm ata, por edhe të gjithë të tjerët që pasurinë e kanë në një shpërputhje totale me të ardhurat e ligjshme.

PDK nuk vonoi të paralajmëronte dërgimin në Gjykatën Kushtetuese. Askush nuk u befasua me këtë qëndrim të saj, i cili më pas u manifestua edhe me sulme të pakursyera ndaj Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Përmes milionerëve të mediave, ata që e ndjenin rrezikun nga Byroja e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikuar, nxorën një deklarim kur ajo në cilësinë e së pandehurës përgjigjej për akuzat në një proces politik, shkaku i hedhjes së gazit lotsjellës.

Dorëzohu prokuror dhe hiq dorë nga ky proces, citohet të ketë thënë ministrja që pas këtyre aksioneve politike në kundërshtim të marrëveshjeve të dëmshme me Serbinë, ishte edhe një prej grave më të votuara.

Kjo thirrje, në një shoqëri pa ngarkesa, do të duhej të shërbente si ndërgjegjësim për  t’u distancuar nga marrëveshje të dëmshme që Kosovën e bënë objekt të kompromiseve, e jo palë që vendos për fatin e saj. Por, siç duket ajo kohë është e largët në Kosovë. E, derisa të vjen do të vazhdojnë të akuzohen ata që ishin në mbrojtje të interesit shtetëror, ndërsa të enden të lirë ata që e u pasuruan nga pushteti.

Të paktën, deri më tash faktet këtë e thonë. Krejt aktivistët politik kanë vuajtur dënimet për veprat e tyre, ndërsa pushtetarët e përfshirë në afera të ndryshme korruptive, janë liruar me kusht!

Kolumna e autorit Xhevdet Pozhari, publikohet çdo të shtunë nga ora 19:00

19/Shqip.com