Art Jetese

Byrek shtëpie me pak vaj

Byreku i shtëpisë është padyshim më i preferuari i gjithëve.

Pavarësisht se me çfarë kombinohet, me gjizë a djathë, spinaq a hidhra, mish a qepë dhe domate etj, ky gatim mbetet ndër më tipikët e më autentikët e gatimeve shqiptare.

Por ndonjëherë, amviset hasin vështirësi në përgatitjen e tij pasi petët thithin sasi të madhe të vajit.

Por, ka disa mënyra që ju mundësojnë uljen e sasisë së vajit, e ne ju sjellim njërën nga to.

P.sh. mund ta përgatisni me çfarë do lloj mbushje që dëshironi dhe rezultati do të dalë i njëjtë, një byrek me shije të përkryer dhe njëkohësisht i butë.

Këtë metodë mund ta përdorni kur përgatisni byrek me petë të bëra vetë por edhe petë të gatshme.

Qumësht me vaj ulliri
Ka një sekret në përgatitjen e byrekut për të mos thithur shumë vaj. Është lyerja e çdo pete me qumësht dhe vaj ulliri.

Mjafton të hidhni qumësht në një tas dhe dy lugë me vaj ulliri, dhe t’i përzieni bashkë.

Më pas, secilën petë që e shtroni në tepsi, e lyeni me qumështin dhe vajin e ullirit përmes furçës së kuzhinës.

Shtroni katër apo pesë petë si fillim dhe lyejeni secilën me masën e qumështit me vaj ulliri.

Më pas, hidhni gjysmën e mbushjes me të cilin do përgatisni byrekun dhe vijoni me shtrimin e 3 apo 4 petëve të tjera duke i lyer sërish të gjitha me qumësht dhe vaj ulliri.

Shtoni pjesën tjetër të mbushjes dhe vijoni kështu deri në petën e fundit.

Nëse preferoni mbushjen e byrekut mund ta ndani në tri pjesë.

Në fund, lyeni anët e byrekut me pak qumësht dhe vaj ulliri ashtu si edhe sipërfaqen dhe kthejini anët duke i mbyllur me njëra-tjetrën dhe futeni në furrë të piqet.

Edhe në fund kur piqet para se të fikni furrën lyejeni sipërfaqen e byrekut me pak qumësht dhe vaj ulliri përmes furçës së kuzhinës, kështu ai do të mbetet i butë.

Lëreni të ftohet në furrë në mënyrë që të kullojë, e më pas priteni për ta servirur.

/Shqip.com