OP-ED Kolumne

Burri i marsit!

Artan Kajtazi
Artan Kajtazi

Publikuar:

Deri sa ishim mësuar të dëgjojmë dhe rrëfejmë histori “profetike” për formësimin dhe botëkuptimin e një vendi të lirë, dhe me prosperitet (ku ëndërronim syhapur Shqipërinë e Madhe), një burrë u lind për mos të vdekur kurrë!

Ai ka një emër: Adem Jashari, (burrë i fortë, trim, i besës e fisnik), që në fund të shekullit njëzetë, u bë njeriu i parë (pas shumë dekadash) që simbolizoi lirinë për Kosovën! Në pikëpamje të parë, dukej imagjinare, por ishte vizion i unitetit!

Është një kauzë ku do të këtë referenca dhe interpretime të kësaj linje, por që Adem Jashari asnjëherë nuk mund të kalohet pa u referuar! Do mbetet tradicional i tokës me traditë! Është një qasje shumë-disiplinore që përfshinë historinë më të re të Kosovës! Jashtëzakonshëm deri në atë pikë sa i shkaktoi “tronditje të thellë” pushtuesit! Tronditje që e preku armikun deri në palcë, se këtu jemi në tokën ilire dhe këtu do vdesim!

Kodi heroik mund të përmblidhet si përcaktimi i heroit dhe brezit të tij luftarak jo thjesht për të pranuar vdekjen në betejë, por për të dhënë jetën në mbrojtje të kolektivitetit! Në mbrojtje të qytetarisë! Në mbrojtje të së mirës!

Ndjenja të ngjashme gjenden në sagën shqiptare, ku për shembull, Adem Jashari bashkë me familjen, vdesin me armë në duar, në vend që të tërhiqeshin për të luftuar në një ditë tjetër!

Me këtë ndjenjë në mendje, Adem Jashari me familje luftojnë deri vriten të gjithë (përveç Besarta Jasharit)! Atë ditë marsi, engjëjt duket sikur zbritën në Prekaz për ta përcjellë shpirtin e tyre drejtë e në parajsë!

Më në fund, historia pas imazhit na tregon se Adem Jashari bashkë me familjen vdesin si fitimtarë dhe jo si rezultat i plagëve të shkaktuara nga armiku!

Sot, deri sa të tjerët përtej lumit i bien fizarmonikës ndër shelgje dhe përpiqen ta shohin historinë përmes xhamave të thyer, dhe sikur duan ta shohin në mënyrë të pjerrët, të tjerët ecin me lavdinë e kohës sot dhe përherë!

E, pa fije dyshimi e them se, në fund të shekullit të njëzetë, historia e re e Kosovës, portretizohet përmes një emri: ADEM JASHARI!

/Shqip.com