Lajme

Burbuqe Berisha varroset sot

Burbuqe Berisha

Këtë të enjte do t’i jepet lamtumira e fundit regjisores Burbuqe Berisha.

Varrimi i të ndjerës do të bëhet në orën 15:00 në varrezat e Prishtinës.

Para kësaj, do të mbahet mbledhje komemorative organizuar nga Kolegji AAB në teatrin “Faruk Begholli” në orën 10:00.

Pastaj nga ora 12-14, nën organizimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, mbahen homazhe në Teatrin Kombëtar.

Lexo edhe:
Artistët kosovar shprehin ngushëllime për vdekjen e regjisores, Burbuqe Berisha

Po ashtu, ditën e premte, me 29 tetor, në orën 11:00, në Teatrin Kombëtar, nën organizimin e Ministrisë së Kulturës, mbahet mbledhja komemorative, për nderimin e jetës dhe veprës së regjisores Berisha, kanë njoftuar familjarët e saj.

Regjisorja Burbuqe Berisha

Burbuqe Berisha vdiq të mërkurën nga sulmi në zemër. Ajo dha frymën e fundit në vendin e saj të punës – në objektin e Ministrisë së Kulturës.

Buqja ishte 51-vjeçare dhe tash e një kohë ndodhej në dializë.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është shprehur thellësisht e prekur nga vdekja e regjisores.

Përmes një njoftimi, MKRS i ka shprehur ngushëllime familjes, miqve dhe gjithë komunitetit artistik.

Burbuqe Berisha ishte regjisore e një numri të konsiderueshëm të filmave të shkurtër, të gjatë, dokumentarë, serive televizive, shfaqjeve teatrore dhe fituese e disa shpërblimeve në festivale të filmit dhe teatrit me karakter vendor e ndërkombëtar./SHQIP.com