Artistët kosovar shprehin ngushëllime për vdekjen e regjisores, Burbuqe Berisha
Regjisorja Burbuqe Berisha, ka ndërruar jetë të mërkurën nga sulmi në zemër.
Artistët kosovar kanë shprehur ngushëllime, duke theksuar që vdekja e saj është humbje e madhe për Kosovën.
Në vazhdim janë disa nga ngushëllimet e postuara nga komuniteti artistik me rastin e ndarjes nga jeta të Burbuqe Berishës.
“Pusho ne paqe shpirti i bardhë. Ngushëllime familjes”, shkroi këngëtarja Era Istrefi.
‘Zoti te mëshiroftë Buqe’, ka shkruar aktori Shkëlzen Veseli.
“Buqe pusho e qetë, zoti të shpërbleftë me xhenet, na këpute shpirtin bre …”, shkroi aktori Edi Kastrati duke publikuar një imazh bashkë me të.
“Na paska lanë Buqja fizikisht! Lajm shumë i rënde për komunitetin tonë e boshllëku përgjithmonë në zemrat tona. Ngushëllime familjarëve e kolegëve. Pushoftë në Paqe shpirti i saj i mrekullueshëm.”, shkroi aktorja e deputetja kosovare, Adriana Matoshi.
Po ashtu, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është shprehur thellësisht e prekur nga vdekja e regjisores së filmit dhe teatrit, Burbuqe Berisha.
Përmes një njoftimi, MKRS i ka shprehur ngushëllime familjes, miqve dhe gjithë komunitetit artistik.
“Me pikëllim ju njoftojmë se sot në mesditë në Ministrinë e Kulturës papritmas ka ndërruar jetë regjisorja e filmit dhe teatrit Burbuqe Berisha. Jemi thellësisht të prekur nga kjo ngjarje dhe u shprehim ngushëllime familjes, miqve dhe gjithë komunitetit artistik.
Burbuqe Berisha ishte regjisore e një numri të konsiderueshëm të filmave të shkurtër, të gjatë, dokumentarë, serive televizive, shfaqjeve teatrore dhe fituese e disa shpërblimeve në festivale të filmit dhe teatrit me karakter vendor e ndërkombëtar”, thuhet ndër tjerash në njoftim./SHQIP.com