Lajme

Bulliqi: Jam i gatshëm të bashkëpunoj me Prokurorinë për ndërtimet ilegale përreth Liqenit të Batllavës

Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka thënë se për ndërtimet pa leje në zonën përreth Liqenit të Batllavës mirëpret çdo hetim.

Përmes një postimi në Facebook, Bulliqi ka thënë se shprehë gatishmërinë e plotë që si institucione lokale të bashkëpunojnë me Prokurorinë për zbardhjen e së vërtetës.

“Mirëpres çdo hetim, me qëllim që të zbardhet e vërteta lidhur me këtë çështje. Shpreh gatishmërinë e plotë, që si institucione lokale, të bashkëpunojmë ngushtë me Prokurorinë për zbardhjen e të vërtetës për ndërtimet ilegale në atë zone”, shkroi Bulliqi.

Ai tha se në media është duke qarkulluar në lajm se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka filluar hetimet për ndërtimet pa leje dhe për këtë gëzohet.

“Në media po qarkullon lajmi se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka filluar hetimet për ndërtimet pa leje në zonën përreth Liqenit të Batllavës. I gëzohem këtij lajm”.

Komuna e Podujeves
Lexo edhe:
Ish-inspektori në Podujevë: Bulliqi kërkoi të lejohen mbindërtimet, Prokuroria shqyrton pretendimet e tij

Por, në një përgjigje për Shqip.com, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, nuk ka thënë se janë nisur hetimet por që po shqyrtohen pretendimet e ish-drejtorit të Inspeksionit në Komunën e Podujevës, Besnik Mulliqit.

“Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, ju njoftojmë se Prokuroria është duke i shqyrtuar të gjitha pretendimet e dhëna në opinionin publik nga z. Mulliqi, si dhe do të veprojë konform dispozitave ligjore në fuqi”, tha Ulaj.

Mulliqi në një emision në T7, kishte pretenduar se kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, e ka penguar në punën e tij duke mos e lejuar që të fillojë rrënimet e vilave në Orllan dhe të njëjtit i ka kërkuar t’i lejojë mbindërtimet në qendrën e qytetit të Podujevës.

Mulliqi ishte shkarkuar nga Shpejtim Bulliqi nga detyra e drejtorit të Inspektoriatit në Komunën e Podujevës./Shqip.com