Kulturë

“Bukë e kripë e zemër bardhë”, festivali që sjell ushqimet tradicionale në një tryezë

Qyteti i Prishtinës po merr epitetin e qytetit të kulturës gjatë ditëve të verës.

Me moton “Bukë e kripë e zemër bardhë”, u hap edicioni i dytë i “Prishtina Gastronomy Festival”.

Qytetarët do të kenë mundësi të shijojnë ushqimin tradicional nga Kosova, Shqipëria, si dhe nga kultura turke e italiane.

“Prishtina Gastronomy Festtival është duke u mbajtur për herën e dytë qëllimi i tij është promovimi i gastronomisë shqiptare promovimi i kulturës dhe traditave tona, por njëkohësisht do të kemi edhe pjata ndërkombëtare të cilat do t’i prezantojnë kuzhinierë të ndryshëm”, tha për Shqip.com koordinatorja e projektit Bardha Smajli.

Festivali do të jetë i hapur për 11 ditë, ku qytetarët do të kenë mundësi edhe ta shohin përgatitjen e një ushqimi.

“Kuzhinierët do të prezantojë ushqimet e trevave nga vijnë, do të jetë gjithçka për publikun e hapur, ata mund të ulen të dëgjojnë dhe ta shohin si përgatiten ushqimet”, shtoi tutje ajo.

Ky festival, ka bashkëpunim të madh me Shqipërinë, e në njërën nga netët do të jetë edhe nata e Vlorës me moton “Vlora ngrit flamurin në Prishtinë”.

“Qëllimi I festivalit të promovojë edhe kulturat vendore, si dhe promovimin e turizmit, si Prishtinës, Tiranës, Vlorës, Korçës” tha Smajli.

Hyrja në festival do të jetë me bileta, ku qytetarët do të kenë mundësi t’i marrin ato në mënyrë fizike si edhe atë online.

“Prishtina Gastronomy Festival”, po ashtu gjatë këtyre 11 ditëve ka edhe programin muzikor, ku do të përformojnë artistë të njohur shqiptarë.