Lajme

BSPK: Vendimi i Qeverisë për miratimin e shtrenjtimit të rrymës “i ngutshëm”

Faturat e energjisë elektrike.
Faturat e energjisë elektrike.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës e ka cilësuar si të “ngutshëm” miratimin e propozimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë ndaj KEDS-it për shtrenjtimin e energjisë elektrike, përcjell Shqip.com.

Përmes një komunikate, BSPK deklaroi se propozimit të tillë është dashur t’i kushtohet kohë dhe propozimi t’i nënshtrohet analizës profesionale para se të miratohet.

Tutje, BSPK-ja theksoi se nuk mund të pranohet arsyetimi i ZRRE-së për shtrenjtimin e tarifave të tilla.

Lexo edhe:
Buzhala: Janë 69 për qind e konsumatorëve që nuk e kalojnë asnjë muaj gjatë vitit shifrën e 600 kWh

“Arsyetimi i KEDS-it se rritja e çmimit të energjisë elektrike është pasojë e ngritjes së çmimit të importit nuk mund të pranohet edhe po të jetë i saktë, dhe krejt kjo se popullata është shtrënguar plotësisht duke iu përkeqësuar gjendja ekonomike e sociale”, thuhet ndër tjerash në komunikatë.

Ky reagim vie pasi Zyra e Rregullatorit për Energji ka njoftuar se ka propozuar dy blloqe për konsumatorët shtëpiak, blloku i parë për konsumin deri në 600 kWh nivel ky i konsumit ku mund të ofrohet me çmim të përafërt me tarifën ekzistuese.

Sipas ZRRE-së, kur një konsumator konsumon më shumë se 600 kWh, atëherë për të mbuluar konsumin mbi 600 kWh duhet të blihet energji nga importi, e për këtë arsye çmimi i energjisë mbi 600 kWh duhet të reflektojë çmimin e importit.

Lexo edhe:
Ministria e Ekonomisë ndan 75 milionë euro për subvencionimin e energjisë elektrike për qytetarët dhe bizneset

“ZRRE është e obliguar me ligj të përcaktojë tarifa që e reflektojnë koston e ofrimit të energjisë tek konsumatorët dhe të dizajnojë tarifa që e nxisin efiçiencën e energjisë. Struktura tarifore me blloqe i favorizon konsumatorët që e kursejnë energjinë.

Ky nivel i konsumit mund të ofrohet çmim të përafërt me tarifën ekzistuese. Kur një konsumator konsumon më shumë se 600 kËh, atëherë për të mbuluar konsumin mbi 600 kWh duhet të blihet energji nga importi. Për këtë arsye, çmimi i energjisë mbi 600 kËh duhet të reflektojë çmimin e importit”, ka shkruar ZREE.

Ndërkaq, Ministria e Ekonomisë ka ndarë 75 milionë euro për subvencionimin e energjisë elektrike për qytetarët dhe bizneset.

Sipas ME-së, ndarja e mjeteve është bërë për t’u përballur me rritjen e tarifave të rrymës.

“Duke marrë parasysh situatën e jashtëzakonshme dhe të paprecedentë në tregjet evropiane të energjisë elektrike që ka ndikuar edhe Kosovën, Qeveria e Republikës së Kosovës me kërkesë të Ministrisë së Ekonomisë është zotuar të subvencionojë qytetarët e bizneset e Kosovës, duke i mbrojtur kështu nga rritja e tarifave.

Subvencionet paraqesin të ardhura për sektorin që nuk është e nevojshme të mbulohen nga tarifat e energjisë elektrike dhe, rrjedhimisht, zbusin rritjen e tarifës së energjisë elektrike”, thuhet në njoftimin e ministrisë.