Lajme

BSPK-ja e cilëson si akt jo të qytetëruar kanosjen ndaj Jasharajt

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka thënë se kanosja ndaj kryetarit të Këshillit Qendror Grevist të BSPK-së, Rrahman Jasharajt është akt jo të qytetëruar.

“Të sulmohet përfaqësuesi sindikal dhe veterani i arsimit në mjediset e shenjta – në shkollë gjatë vizitës miqësore dhe për mendimin e drejtë ndryshe është plotësisht e papranueshme.”, thuhet në reagim.

Tutje, ata kanë shtuar se do të besojnë se është diçka që ka rrjedhë nga ngutja dhe nga mos analiza e rrethanave të zhvillimit të Grevës së Përgjithshme dhe jo akt i organizuar.

Në reagim kritika kishte edhe për mosmarrjen e masave ndaj atyre që nxisin armiqësi.

“Është shumë keq dhe tejet e rrezikshme që askush nuk ndërmerr asgjë ndaj atyre që njollosin, shajnë, thërrasin në veprime armiqësore dhe kontribuojnë në krijimin e mjediseve armiqësore duke përhapur të pavërteta të qëllimta dhe të rrezikshme vetëm e vetëm për të ndërruar mendimin e drejtë të përfaqësuesve sindikalë të cilët janë në ballë të sindikatave se ashtu e kërko ligji dhe norma.”

Ndërsa për grevën shkruajnë se është për nxënësit dhe dinjitetin e mësimdhënësve, për shoqërinë e për të punësuarin me dinjitet e jo si mundohen ta cilësojnë ata që nuk e duan mjedisin e mirëfilltë demokratik.

Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme është kanosur Rrahman Jasharaj nga një person në shkollën “Ismail Qemaili” në Prishtinë, gjatë takimit të kësaj sindikate me mësimdhënësit.

Policia e Kosovës ka nisur menjëherë hetim ndaj personit të dyshuar si dhe i njëjti është arrestuar e më pas është dërguar në mbajtje.

Sindikatat në Kosovë janë në grevë të përgjithshme që nga data 25 gusht./Shqip.com