Lajme

“Brez pas brezi lindin binjakë”/ Ersenilda Elezi rrëfen historinë e veçantë të familjes së saj

Ersenilda Elezi ka mbi 14 vite përvojë si specialiste e Burimeve Njerëzore në kompani dhe korporata ndërkombëtare, si XL World dhe Xerox.

Aktualisht ajo është Kryetare e Bordit të Drejtorëve në ABSL Albania, CEO e Vigan Solutions dhe eksperte në fushen e HR.

Sot nuk do të flasim për eksperiencat e saj profesionale, por për një histori shumë të veçantë të familjes së saj, në të cilën brez pas brezi lindin binjakë.

Ersenilda Elezi ështe vetë binjake (ka një motër binjake), por edhe ajo vetë është nënë e dy djemve binjakë.

Por jo vetëm kaq, edhe kushurira e saj ka dy vajza binjake.

Kemi dëgjuar shpesh për marrëdhënien e afërt që binjakët kanë, dhe këtë gjë na e vërteton edhe Ersenilda teksa na tregon për raportin e saj me motrën:

Ne kemi vërtetuar që kemi një lloj telepatie emocionale ndaj njëra-tjetrës. Kur unë kam një shqetësim, motra ime edhe pse nuk është në dijeni përjeton të njëjtën gjë.

Me kalimin e kohës krijuam secila familjet tona dhe është krijuar një shkëputje e takimeve të përditshme, por kemi qene gjithmonë të pandara, deri në shkollë të mesme”.

Teksa e pyesim për fëmijërinë dhe ngjashmërinë me motrën e saj, ajo na tregon se edhe pse binjake ato janë shumë të ndryshme.

Siç vetë ajo shprehet:

“Duke qenë se jemi natyra të ndryshme edhe mënyrën se si vishemi e kemi pasur gjithmonë të ndryshme. Vetëm kur na bënin dhurata veshje të njëjta, ishim të ‘detyruara’ ti vishnim për t’iu bërë qejfin. Që në fëmijëri kemi pasur një raport mjaftueshëm të mirë. Motra ka qenë më sunduese ndërsa unë kam qenë natyrë më e qetë dhe e ka drejtuar ajo shpeshherë lojën, por normalisht duke u rritur kemi kaluar në marrëdhënie shumë më të qeta. Por gjithmonë kemi shkuar shumë mirë”.

Ersenilda Elezi na tregon gjithashtu dhe për eksperiencën e saj si nënë e dy djemve binjakë:

“Kur je vetë binjake dhe merr vesh që do të kesh fëmijë binjakë, sigurisht që eshtë një emocion shumë i bukur. E kuptoj shumë mirë lidhjen e fortë që ata kanë dhe jam shumë e lumtur që e kanë njëri-tjetrin. Sigurisht, si çdo nënë unë do të jem gjithmonë pranë tyre për ti mbështetur”.

Padyshim që kjo është një histori e bukur familjare, që na dëshmon edhe njëherë për lidhjen e veçantë të binjakëve, që shpesh herë e kemi dëgjuar.

Shpresojmë që në të ardhmen të kemi mundësinë të diskutojmë edhe për tema të tjera me Ersenilda Elezi-n.

/Shqip.com