Kulturë

Botohet libri “Filistinët: Historia dhe qytetërimi i tyre” nga R. A. Stewart Macalister

Libri “Filistinët: Historia dhe qytetërimi i tyre” nga R. A. Stewart Macalister
Libri “Filistinët: Historia dhe qytetërimi i tyre” nga R. A. Stewart Macalister

Shtëpia Botuese tashmë e njohur shqiptare “Jakup Ceraja” sapo ka nxjerrë nga shtypi librin studimor “Filistinët: Historia dhe qytetërimi i tyre”, nga arkeologu irlandez R. A. Stewart Macalister.

Kjo monografi mbi filistinët është një ndër të paktat mbi këtë popull misterioz. Filistinët mund të kenë qenë emigrantë nga Greqia Mikenase, pjesë e migrimeve të “popujve të detit” të shekullit XII p.e.s. Filistinët zinin një hapësirë në bregun e Mesdheut, që përafërsisht i përgjigjet rripit të Gazës. Filistinët antikë nuk kanë ndonjë lidhje me palestinezët modernë: filistinët u zhdukën në shekullin V p.e.s.

Nuk kemi asnjë tekst të shkruar me fjalë origjinale filistine, me përjashtim të disa huazimeve në gjuhën hebreje. Ka evidencë që filistinishtja ishte gjuhë indo-evropiane. Më vonë ata përvetësuan aramaishten, një gjuhë semitike.

Filistinët shfaqen në disa nga tregimet më dramatike të Biblës. Kush mund të harrojë Samsonin duke shembur, duarthatë, faltoren e filistinëve? Ose beteja e gjatë përfundimtare e mosmarrëveshjeve: Davidi i ri kundër filistinit Goliat.

Libri “Filistinët: Historia dhe qytetërimi i tyre” nga R. A. Stewart Macalister

Macalister mbulon në detaje fenë e filistinëve. Filistinët bëjnë pjesë në një kompleks fetar politeist të Lindjes së Afërme antike. Ata adhuronin perënditë kananite si Baal-Zebubin (‘Zoti i Mizave’), perëndeshën e madhe Astarta dhe Dagonin, një sirenë mashkull, peshk-zot, i cili ishte gjithashtu hero i kulturës. Kur filistinët e vodhën Arkën e Besëlidhjes, ata, siç thuhet, e fshehën në faltoren e Dagonit në Ashdod.

Ky libër është një përpjekje për të mbledhur në një formë të përshtatshme të dhënat që kanë qenë deri më tani në dispozicion mbi popullin filistin, si dhe është një ndihmesë e madhe për studiuesit e historisë antike dhe arkeologjisë.

Robert Alexander Stewart Macalister (8 korrik 1870 – 26 prill 1950) ishte arkeolog irlandez. Megjithëse interesimi i tij më i hershëm ishte në arkeologjinë e Irlandës, ai shpejt zhvilloi një interes të fortë në arkeologjinë biblike. Së bashku me Frederick J. Bliss, ai gërmoi disa qytete në rajonin Shephelah të Palestinës Osmane nga 1898 deri në 1900. Nga viti 1902 deri në vitin 1909, ishte përgjegjës për gërmimet në Gezer, në shtetin modern të Izraelit, në perëndim të Jerusalemit. Ky ishte një nga gërmimet më të hershme arkeologjike shkencore në shkallë të gjerë në rajon.

Libri “Filistinët: Historia dhe qytetërimi i tyre” është përkthyer nga Genc Kastrati dhe mund të gjendet nëpër libraritë e Prishtinës.

/Shqip.com