Teknologji

Botohet “Fjalor i teknologjisë së informacionit”

Gjatë këtyre tri dekadave të fundit të epokës së internetit, teknologjia e informacionit dhe drejtimet tekniko-shkencore të lidhura me të, si: elektronika, informatika, robotika dhe telekomunikimi, kanë shënuar një përparim të pandalshëm.

Shpikje të tilla si kompjuteri personal, interneti, tregtia elektronike, telefonat e mençur, rrjetet shoqërore virtuale e shumë dukuri të tjera, kanë sjellë ndryshime të mëdha në kulturën dhe komunikimin tonë të përditshëm.

Ndaj,  autorët, Erion Çano dhe Edmond Tupja, kanë vendosur të sjellin këtë fjalor Terminologjik – Enciklopedik, duke iu përshtatur veçorive dhe kërkesave të zhvillimit të kohës.

Janë përfshirë në tërësi rreth 3000 zëra, ndër të cilët afro 2250 fjalë që mbartin gati 2670 kuptime (nëse kemi parasysh fjalët me më shumë se një kuptim), 520 shkurtesa dhe 230 shprehje që përbëjnë koncepte të rëndësishme. Jepen gjithashtu 2510 përkufizime, 1970 shembuj përkthimi, 240 lidhje sinonimie dhe 360 lidhje antonimie.

Të gjitha këto veçori e bëjnë këtë fjalor të vlefshëm jo vetëm për specialistët, studentët dhe pedagogët e teknologjisë së informacionit, por për këdo që ka kureshtje rreth kësaj fushe.

“Fjalor i teknologjisë së informacionit”, vjen nën përkujdesjen e botimeve “Pegi” në dy gjuhë: anglisht-shqip.

/Shqip.com