Lajme

Borrell i bindur se Kosova dhe Serbia do të arrijnë marrëveshje edhe për targat

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrel është shprehur i bindur se është e mundur të zgjidhet problemi i hapur për targat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se çështja për tabelat është ende e hapur.

“Jam i bindur se mund ta zgjidhim edhe këtë”, tha Borrell.

Borrell, në një intervistë për shërbimin publik austriak ORF, thotë se paqja në rajon është shumë e brishtë, por se marrëveshja për lirinë e udhëtimit është një hap pozitiv.

“Ne operojmë në modalitetin e parandalimit të krizave. Kriza mund të kishte shpërthyer më 1 shtator nëse nuk do të kishim arritur një marrëveshje për kalimin e kufijve. Ky është një lajm i mirë”, shpjegoi ai.

Bashkimi Evropian njoftoi më 27 gusht se Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje për eliminimin e lëshimit të dokumenteve për hyrje-dalje.

Lexo edhe:
Borrell: Serbia ka vendosur t’i pranojë dokumentet e Kosovës

Kjo marrëveshje nënkupton se qytetarët e Serbisë dhe ata të Kosovës, do të mund të kalojnë kufirin me kartat e tyre të identitetit, pa pasur nevojë që të pajisen me një letër shtesë të hyrje-daljes.

Këtë praktikë Serbia e kishte aplikuar qe 11 vjet, ndërkaq Kosova lëshoi dokumente të tilla për disa orë gjatë 1 gushtit.

Ndërkaq, më 1 shtator pritet të hyjë në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat e makinave.

Ky vendim konsiston në riregjistrimin e makinave që përdorin targa të lëshuara nga Serbia.

Vlerësohet se 10.000 targa me akronime të qyteteve të Kosovës – sikurse PZ, KM, PR, UR e të ngjashme – qarkullojnë në veriun e banuar me shumicë serbe./Shqip.com