Lajme

Borrell: Dje dhe sot iu është dorëzuar Kosovës dhe Serbisë plani franko-gjerman

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka thënë se propozimi franko-gjerman është dërguar dje në Beograd dhe sot në Prishtinë.

Në një adresim për media në Samitin e BE-Ballkani Perëndimor, Borrell tha se diskutimet lidhur me planin franko-gjerman duhet të ndodhin.

“Lidhur me dialogun në mes Prishtinës dhe Beogradit, ky është një moment i rëndësishëm, plus marrëveshja për targat ka përfunduar e tashmë duhet të angazhohen për normalizim në dialog me propozimin që është hedhur në tryezë me mbështetjen e fortë të Gjermanisë dhe Francës. Ju është dërguar dje Beogradit dhe sot  Kosovës dhe janë ata që duhet të nisin diskutimet dhe diskutimet duhet të ndodhin, ku ka një mundësi të madhe”.

Borrell njoftoi se Bashkimi Evropian do të jep 10 milionë euro për një fushatë ç’minimi për Bosnjën dhe Hercegovinën.

“Po ashtu edhe në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë do t’i ofrojmë mbështetje Bosnjës dhe Hercegovinës për ç’minim. Do të japim 10 milionë euro për një fushatë ç’minimi atje”.

Kujtojmë se sot gjatë ditës, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Përmes një adresimi për media, Lajçak tha se arsyeja që ai ndodhët në Prishtinë është që të kthehet diskutimi për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë.

Lajçak: I kthehemi diskutimeve për normalizim, do të ketë takime – SHQIP.com

Tutje, Lajçak tha se me Kurtin kanë biseduar edhe për situatën në veri të Kosovës.

Ndërsa, i pyetur për afatin që është përmendur që me gjasë të arrihet marrëveshja finale në mes Kosovës dhe Serbisë, Lajçak tha se nuk është njëri i afateve.

Lajçak ka qëndruar edhe në ditën e djeshme në Serbi ku kanë diskutuat për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë si dhe kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.

Situata në veri të Kosovës ishte e tensionuar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat e lëshuara nga autoritetet e Serbisë në Kosovë të cilat cilësohen ilegale.

Në mosrespektim të vendimit të Qeverisë, u pezullua nga puna drejtori i policisë rajonale në veri. Me këtë, Lista Serbe kërkoi nga serbët që të dal nga institucionet e Kosovës duke përfshirë kështu edhe dorëzimin e mandatit të tyre në Kuvendin e Kosovës.

Bashkë me Listën Serbe, policët serb zhveshën uniformat e tyre e Gjykata Themelore në Mitrovicë mbeti vetëm me staf nga komuniteti shqiptarë.

Komunat veriore mbetën pa kryetarë pas dorëheqjeve të tyre, kurse zgjedhjet e jashtëzakonshme priten që të mbahen me 18 dhjetor atje.

Vlen të theksohet se për të dal nga kjo situatë, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje në Bruksel nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Me anë të kësaj marrëveshje, Kosova anuloi zbatimin e masave të tjera të vendimit për targa ndërsa, Serbia u obligua që të moslëshojë më targa për serbët që jetojnë në Kosovë.

/Shqip.com