Lajme Ballkan

Bolton: Nuk ka vullnet politik për arritjen e një marrëveshje të shpejtë

Diplomati amerikan dhe njëherësh ish-këshilltari për Siguri kombëtare i ish-presidentit amerikan Donald Trump, John Bolton thotë se nuk sheh ndonjë marrëveshje të shpejtë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai thotë se mundësia për një marrëveshje mund të kishte ekzistuar tre apo katër vjet më parë.

Sipas tij stabiliteti politik nuk mund të arrihet nëse të dyja palët nuk janë të gatshme për arritjen e një marrëveshje.

“Nëse Serbia dhe Kosova mund të pajtohen, me gjithë vështirësitë e brendshme, dhe të arsyetojnë një marrëveshje të tillë, mendoj se në atë rast nuk duhet të ndërhyjnë faktorët e jashtëm dhe të thonë se zgjidhja nuk është e pranueshme për ta, sepse mund të ketë pasoja diku tjetër. Stabiliteti nuk mund të arrihet nëse të dyja palët nuk janë të gatshme të arrijnë një marrëveshje, e cila nuk është përdorur më parë. Në këtë kuptim, pushtimi rus i Ukrainës tregon se çfarë mund të ndodhë në kontinentin evropian nëse çështjet e diskutueshme nuk zgjidhen”, tha Bolton në intervistën dhënë mediumit serb, Politika.

Ai tha se mundësia për arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës e Serbisë ishte e mundur edhe para tre ose katër viteve.

“Mënyra për t’iu qasur kësaj çështjeje, veçanërisht për sa i përket kufijve, është se asnjëra palë nuk duhet të pranojë atë që nuk dëshiron, përveç nëse konfirmon se këta janë kufij de facto dhe se janë të gatshëm t’i pranojnë. Mundësia për të arritur një marrëveshje mund të kishte ekzistuar tre apo katër vjet më parë. Tani një opsion i tillë është i pamundur”, tha Bolton.

Ish-këshilltari i presidentit të SHBA-së, thotë se shembulli i emrit të Maqedonisë së Veriut, tregon se disa çështje zgjidhen me kalimin e kohës.

“Megjithatë, le të marrim si shembull mosmarrëveshjet e kahershme të opinioneve në lidhje me emrin Maqedonia e Veriut, të cilat u zgjidhën me kalimin e kohës. Nëse negociatat do t’u lihen palëve të angazhuara, do të jepte rezultate, sepse në të kundërt pengohet hyrja e atyre vendeve në Bashkimin Evropian”, thekson Bolton.

Kujtojmë se në mandatin pesë vjeçar të ish-presidentit Trump, John Bolton ishte një nga figurat kryesore të politikës amerikane, duke bartur mbi supe përgjegjësi e detyra të rëndësishme.

/Shqip.com