Lajme

Bislimi tregon se cilat janë pikat e propozim-marrëveshjes për targat

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar se ende nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare me palën serbe lidhur me targat e veturave.

Lexo edhe:
Kosova e Serbia afër një marrëveshjeje të përkohshme për targat

Por, ka thënë se gjatë takimit në Bruksel, ku i pranishëm ishte edhe i dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kanë hartuar një draft final me të cilin sipas tij, pala kosovare është dakorduar, por jo edhe ajo serbe.

“Për momentin, kjo marrëveshje ka mbetur të pranohet edhe nga pala serbe e cila ka vërejtje në mënyrën e trajtimit të veturave me KM, për të cilat ka besuar apo kërkuar se do duhej trajtim i privilegjuar”.

Lexo edhe:
BE: Ende nuk ka marrëveshje finale për reciprocitetin, bisedimet në Bruksel vazhdojnë

“Ne shpresojmë që delegacioni i Serbisë do të bindet për tekstin e marrëveshjes pa asnjë ndryshim të mëtejmë dhe në momentin e dakordimit, mund të themi se kemi një marrëveshje valide”, ka shkruar Bislimi në profilin e tij në Facebook.

Më tej është shprehur se pala kosovare është treguar e gatshme të mbështesë përpjekjet e Lajçakut drejt gjetjes së një zgjidhje të pranueshme.

Targat e përkohshme të Republikës së Kosovës

Pikat kryesore të këtij drafti final, sipas Bislimit janë si vijon:

1. Të shtunën me datën 2 tetor, forcat e KFOR do të vendosen në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak dhe disa orë pas vendosjes së tyre, do të fillohet me largimin e barrikadave dhe njëkohësisht edhe me zhvendosjen e njësisë speciale të policisë së Kosovës. Njësitë e KFOR do të qëndrojnë në vendkalimet kufitare afërsisht dy javë dhe mund të largohen nga vendkalimet pastaj në rast të qetësimit komplet të situatës.

Lexo edhe:
Serbia thotë se asnjë marrëveshje nuk është arritur me Kosovën në Bruksel

2. Me datën 4 tetor, në ora 08:00 të mëngjesit do të filloj zbatimi i përkohshëm i sistemit të afisheve me të cilat si Kosova ashtu edhe Serbia do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra tjetrës. Rrjedhimisht nga dita e hënë parashihet që asnjë qytetarë i Kosovës dhe Serbisë nuk do ketë më nevojë të vendosë tabela të përkohshme gjatë kalimit në territorin e shtetit tjetër.

3. Do të krijohet një grup punues me objektiv gjetjen e zgjidhjes përfundimtare rreth targave, bazuar në standardet dhe praktikat e BE-së. ky grup do ketë 6 muaj kohë për të mundësuar kalimin në zgjidhjen e përhershme, me çka edhe kufizohet afati i zbatimit të sistemit me afishe./SHQIP.com