Lajme

Bislimi: Kosova s’do lejojë shpërqëndrim të qëllimshëm nga bisedimet

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka takuar gjatë ditës në Bruksel, emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajcak.

Bislimi ka reaguar përmes Twitter, duke shkruar se Kosova nuk do të lejojë shpërqendrimin e qëllimshëm nga bisedimet.

“Nuk duhet të lejojmë shpërqendrime të qëllimshme nga bisedimet për normalizimin e plotë nëpërmjet veprimeve që synojnë përshkallëzimin në terren. Kosova mbetet e përkushtuar ndaj dialogut parimor, pasi ne jemi të interesuar të ndërtojmë marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët tanë”, ka shkruar Bislimi.

Tutje, ai ka shkruar se Kosova mbetet e përkushtuar që të vazhdojë takimet e rregullta drejtë njohjes reciproke.

“E ritheksova interesimin e Kosovës për të vazhduar me takime të rregullta në Bruksel për elementet e normalizimit gjithëpërfshirës të përqendruar në njohjen reciproke”, ka theksuar Bislimi.

Çështja e targave ka qenë pjesë e diskutimeve në takimin e sotëm, ku Bislimi ka njoftuar se janë diskutuar opsionet për konvertimin e suksesshëm të të gjitha targave të paligjshme në të ligjshme.

Lexo edhe:
Lajcak pas takimit me Bislimin: Përshkallëzimi është i papranueshëm

Më herët kishte reaguar edhe Lajcak, duke shkruar se çështja e targave mbetet urgjente dhe se duhet të zgjidhet përmes dialogut.

/Shqip.com