Biden nderon ushtarët e vrarë në Afganistan duke kujtuar Beau Biden dhe Kosovën

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, derisa nderoi anëtarët e ushtrisë amerikane të vrarë në një sulm vetëvrasës me bombë gjatë evakuimit të civilëve nga aeroporti i Kabulit javën që lamë pas, ka përmendur të birin e tij tashmë të ndjerë që ka dhënë kontributin e tij gjatës luftës në Kosovë, Beau Biden, transmeton Shqip.com.
Në fjalimin e tij në Bazën Ajrore Dover këtë të diel, Biden tha se e ndien atë se çfarë ndiejnë sot familjet e viktimave të cilët ai i quan “heronj trima”.
Ndër tjera Biden tregoi për humbjen e djalit të tij që shërbeu në Kosovë për gjashtë muaj dhe një vit në Irak, i cili pasi u kthye në Amerikë, u diagnostikua me kancer në tru, me ç’rast edhe ka vdekur.
“Duke qenë baba i një majori të ushtrisë që ka shërbyer në Irak dhe në Kosovë si përfaqësues ligjor amerikan për gjashtë muaj në mes të luftës, kur erdhi në shtëpi, pas një viti në Irak, ai u diagnostikua, si shumë ushtarë të tjerë të kthyer në shtëpi, me një kancer agresiv në tru. Ne e humbëm. Prandaj ne e ndiejmë si shumica prej jush se çfarë ndiejnë familjet e këtyre heronjve trima sot”, është shprehur Biden.
Ai thotë se jetët që janë humbur gjatë sulmit në Afganistan, janë jetë të dhëna për lirinë, në shërbim të sigurisë dhe në shërbim të të tjerëve.
“Është një ndjenjë e zbrazëtirës dhe e një vrime të madhe të zezë në krahëror nga e cila sikur nuk ka dalje. Ne e dimë këtë, por është një obligim, një obligim i shenjtë për të gjitha familjet, një obligim jo i përkohshëm por që zgjat përgjithmonë. Jetët që janë humbur janë jetë të dhëna për lirinë, në shërbim të sigurisë dhe në shërbim të të tjerëve. Në shërbim të Amerikës. Janë jetë të dhëna në shërbim të vlerave tona”, ka thënë ai, raporton “CNN”.
Një shpërthim vetëvrasës i “Shtetit Islamik” para aeroportit të Kabulit të enjten vrau shumë afganë dhe 13 trupa amerikane.
Siç bëhet e ditur nga Shtëpia e Bardhë, Biden dhe gruaja e tij, Jill, do të takojnë familjet e anëtarëve të shërbimit të vrarë në sulm.
Sulmi i së enjtes, i cili u pretendua nga ISIS-K, ishte incidenti më vdekjeprurës për anëtarët e shërbimit amerikan në Afganistan në një dekadë.
Bombardimi ndodhi pak para portave të aeroportit, ku mijëra njerëz ishin mbledhur në përpjekje për të marrë një fluturim që kur talebanët u kthyen në pushtet më 15 gusht.
Mbi 170 persona mbetën të vdekur nga ky shpërthim i 26 gushtit. /Shqip.com