Lajme Botë

Biden me probleme shëndetësore, do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje dentare

Presidenti amerikan, Joe Biden
Presidenti amerikan, Joe Biden

Presidenti amerikan, Joe Biden, do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje dentare, përkatësisht do të bëjë trajtimin e rrënjës së kanalit. Ndërhyrja do të bëhet në Shtëpinë e Bardhë, tha mjeku i presidentit, duke detyruar zyrtarët që menjëherë të ndryshojnë agjendën e planifikuar të Bidenit.

Mjeku i Bidenit, Kevin C. O’Connor, tha përmes një deklarate se presidenti – që është 80 vjeç dhe është personi më i vjetër që ka shërbyer si president i SHBA-së – kishte “shqetësime” nga një dhëmbë në anën e djathtë të nofullës së poshtme, që ishte trajtuar pjesërisht.

Zyra për media e Shtëpisë së Bardhë tha se ndërhyrja do të kryhet në Shtëpinë e Bardhë.

Edhe pse në deklaratën e mjekut nuk u përmend asnjë rrezik për shëndetin e Bidenit, kjo ndërhyrje duket se ka qenë e paplanifikuar, pasi presidenti anuloi pjesëmarrjen në një ngjarje disa orë para se të niste.

Shtëpia e Bardhë tha se Biden nuk do t’i nënshtrohet anestezionit të përgjithshëm dhe se amendamenti 25 i Kushtetutës amerikane nuk do të përdoret. Ky amendament, i miratuar më 1967, ka të bëjë me zëvendësimin e presidentit kur ai është i paaftë të kryejë detyrën.

Po ashtu, mbetet e paqartë nëse do të realizohet takimi mes Bidenit dhe sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, që ishte planifikuar më herët.

/Shqip.com