Lajme Botë

Biden i premton Ukrainës: Do përgjigjemi me shpejtësi dhe vendosmëri

Joe Biden

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka premtuar homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, se SHBA-të do përgjigjen “me shpejtësi dhe vendosmëri”.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se Biden e ka thirrur në telefon Zelenskyn për ta dënuar veprimin e Rusisë për dërgimin e trupave ruse në dy rajonet separatiste në lindje të Ukrainës.

Biden ka folur me Zelenskyn “për t’ia rikonfirmuar përkushtimin që SHBA-të kanë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

Gjithashtu i ka thënë presidentit ukrainas se SHBA-të kanë plane të vendosin sanksione dhe se do përgjigjen “me shpejtësi dhe vendosmëri”, bashkë edhe me aleatët dhe partnerët, ndaj çdo veprimi të mëtejmë të Rusisë.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar gjithashtu se Biden ka pasur telefonata edhe me presidentin francez, Emmanuel Macron dhe me kancelari gjerman, Olaf Scholz, për t’i koordinuar përgjigjet./Shqip.com