Lajme

Bërnabiq: Ne do të jemi gjithmonë me popullin tonë në Kosovë, ne e kemi ruajtur paqen

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, gjatë vizitës së saj në Kosovë është shprehur se  Serbia do të jetë gjithmonë me popullin e saj në Kosovë.

“Është kënaqësi dhe nder i madh për mua që jam në Kosmet, dua që nga këtu të dërgoj një mesazh të qartë, një mesazh paqeje, stabiliteti dhe tolerance dhe mesazhin e Presidentit të Serbisë. Aleksandar Vuçiq, se ne do të jemi gjithmonë me popullin tonë në Kosovë”, tha Bërnabiq, duke iu drejtuar të mbledhurve në ndërtesën e Qendrës Multimediale në Mitrovicë.

Kryeministrja u tha qytetarëve të Mitrovicës se gjithmonë mund të mbështeten në Serbinë e tyre, e cila do të jetë gjithmonë me ta dhe se sot ëndrra e saj për të vizituar Kosovën u realizua, raporton Tanjug.

“Më vjen mirë që sot jam në Kosovë. Sot ëndrra ime u realizua. Shpresoj që kjo është hera e parë dhe do të vijmë këtu, ekip, me presidentin Aleksandër Vuçiq, që do të vizitojmë shumë projekte në Kosovë”u tha Bërnabiq qytetarëve para Qendrës Multimediale në Mitrovicë.

Ajo tha se tema më e madhe dhe më e rëndësishme, të cilën thotë se do ta përsërisë kudo dhe nga e cila nuk do të heqë dorë, është Bashkimi i Komunave Serbe.

“Kjo është ajo që ne do të vazhdojmë të insistojmë çdo ditë”, përfundoi Bërnabiq.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, arriti të hënën në Mitrovicë të Veriut, ku u prit nga përfaqësues të Listës Serbe dhe nga përfaqësues të institucioneve që punojnë në sistemin e Serbisë.

Lexo edhe:
Bërnabiq arrin në Kosovë

Kjo është vizita e parë e Bërnabiç-it në Kosovë prej se është zgjedhur kryetare e Qeverisë serbe, në vitin 2017.

Ajo do të vizitojë manastirin e Banjskës, në komunën e Zveçanit, ku do të pritet nga peshkopi Teodosije, krerët e komunës dhe përfaqësuesit e serbëve.

Gjatë pasditës ajo do të qëndrojë në Leposaviq, ku do të vizitojë disa amvisëri, si dhe vendet ku janë ndërtuar ferma të mëdha familjare.

Lexo edhe:
Ana Bërnabiq viziton Kosovën, kjo është agjenda

Së bashku me Bërnabiq në Kosovë do të jenë edhe drejtori i Zyrës për Kosovë Petar Petkoviq dhe drejtori i Zyrës për IT dhe eQeverisje, Mihailo Jovanoviq.

Për vizitën e saj Bërnabiq ka marrë leje edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës./Shqip.com