Lajme

Ana Bërnabiq viziton Kosovën, kjo është agjenda

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq

Kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq pritet që të qëndrojë për vizitë gjatë ditës së sotme në Kosovë.

Bërnabiq e nis vizitën e saj në mëngjes në Mitrovicën e Veriut, duke vizituar qendrën multimediale në veri të Kosovës dhe Akademinë Shpirtërore.

Më pas ajo do të vizitojë manastirin e Banjskës, në komunën e Zveçanit, ku do të pritet nga peshkopi Teodosije, krerët e komunës dhe përfaqësuesit e serbëve, raporton RTS.

Gjatë pasditës ajo do të qëndrojë në Leposaviq, ku do të vizitojë disa amvisëri, si dhe vendet ku janë ndërtuar ferma të mëdha familjare.

Së bashku me Bërnabiq në Kosovë do të jenë edhe drejtori i Zyrës për Kosovë Petar Petkoviq dhe drejtori i Zyrës për IT dhe eQeverisje, Mihailo Jovanoviq.

Për vizitën e saj Bërnabiq ka marrë leje edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Lexo edhe:
Ministria e Punëve të Jashtme i jep leje vizitës së Bërnabiq në Kosovë

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Republikës së Kosovës,  i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq që ta vizitojë Kosovën me datën 5 shtator 2022. Dhënia e lejes për vizitë bazohet në  marrëveshjen lidhur me vizitat e ndërsjellta të përfaqësuesve politikë mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së për Shqip.com.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media ka thënë se shpreson që Bërnabiq të mos jep deklarata përçarëse sikurse Petar Petkoviq.

Lexo edhe:
Kurti: Pres që Bërnabiq të mos jep deklarata përçarëse si Petkoviq

“Shpresojë që edhe vizitat e zyrtarëve, pas qarkullimit të lirë të qytetarëve, do t’i kontribuojë lëvizjes së lirë në përgjithësi, pres që Zonja Bërnabiq të mos e vazhdojë avazin e kryenegociatorit nga Beogradi, i cili jepte deklarata përçarëse dhe ndarëse, që kishin për qëllim tensionimin dhe destalizimin. Kemi nevojë të përqendrohemi tek jeta më e mirë e qytetareve”, ka thënë Kurti lidhur me vizitën e Bërnabiq në Kosovë.

Ndryshe, kjo është vizita e saj e parë në Kosovë në rolin e kryeministres së Serbisë./SHQIP.com