Lajme

Bërnabiq: Komuniteti ndërkombëtar, KFOR- dhe NATO duhet ta “frenojnë” Albin Kurtin

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, pas aksionit të policisë në Mitrovicën e Veriut për ndalimin e kontrabandimit me mallra, tha se komuniteti ndërkombëtar, NATO dhe KFOR-i duhet ta “frenojnë” kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, transmeton Shqip.com.

Tutje, ajo e quajti këtë operacion si “aksion të çmendur të Albin Kurtit”, teksa tha se me këto veprime po afrohen buzë kaosit, raporton Tanjug.

Sulmi ndaj Policisë së Kosovës

“I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar, NATO-s dhe KFOR-it të reagojnë me urgjencë dhe ta frenojnë Albin Kurtin. Situata është shumë më shumë se dramatike dhe ky është momenti i fundit ku duhet të ketë reagim të domosdoshëm t’i ndaloj këto veprime të çmendura të Prishtinës”, tha ajo.

Sipas saj, derisa institucionet e Serbisë po mundohen të zgjidhin çështjen përmes dialogut, Kurti dhe të tjerët po mundohen të zgjidhin gjërat me kriza “në mënyrë që të pushtohet Veriu i Kosovës”.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas bllokimit të rrugës nga serbët lokalë në Mitrovicën Veriore, tha se krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen.

Lexo edhe:
Kurti pas aksionit në veri: Grupet kriminale nuk do të tolerohen

Përmes një postimi në Facebook, Kurti theksoi se aksioni i Policisë së Kosovës ka përfunduar, teksa u bëri thirrje qytetarëve në Mitrovicën e Veriut që të mos bien pre e disa medieve në Serbi që e “mbrojnë krimin, korrupsionin dhe kontrabandën dhe duan ta politizojnë dhe etnizojnë atë”.

Ndryshe, mëngjesin e së mërkurës, Policia e Kosovës nisi një aksion në nivel vendi kundër kontrabandës së mallrave.

Aksioni kishte përfshirë edhe Mitrovicën e Veriut.

“Si rezultat i hetimeve intensive dhe veprimeve profesionale policore dhe të Doganës së Kosovës, deri më tani janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të cilat shërbejnë si prova materiale”, thuhej në njoftimin e Policisë.

Por, jo të gjithë ishin të bindur ndaj organeve të rendit.

Serbët lokalë në Mitrovicën e Veriut bllokuan rrugët, madje u përplasën edhe me policinë.

Lexo edhe:
Serbët lokalë sulmojnë Policinë e Kosovës në Mitrovicën e Veriut (VIDEO)

Sipas raportimeve të portalit në gjuhën serbe “Kosovo-online” policia kishte hedhur gazlotsjellës mbi protestuesit.

Gjithashtu është raportuar edhe për shpërthime që tensionuan situatën në Veriun e Kosovës.

Aksioni më pastaj është zhvendosur edhe në Zveçan.

Aksion i Policisë kundër kontrabandës së mallrave.

Krejt këtë e ka parë si një tjetër “provokim”, Petar Petkoviq – drejtor i së ashtuquajturës “Zyre për Kosovën” në Serbi.

Madje, thotë se e ka informuar të dërguarin e Bashkimit Evropian për Dialogun, Miroslav Lajçak.

Ai e ka gjetur “fajtorin”, sipas tij është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që “po e përdor veriun për zgjedhjet lokale të 17 tetorit”.

Aksioni për kontrabandën me mallra është zhvilluar edhe në Mitrovicën e Jugut, Prishtinë dhe Pejë.

Policia përmes kumtesës shtoi se “do të jenë të gatshëm ta luftojnë kontrabandimin”.

Lexo edhe:
Aksioni i Policisë në veri ngritë serbët lokalë në protesta

Po kjo polici javë më parë u pozicionua në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak për ta zbatuar reciprocitetin e targave.

Aty qëndruan për gati dy javë, deri në arritjen e marrëveshjes së Brukselit.

Marrëveshje që e dërgoi KFOR-in ne veri për dy javë – afati i qëndrimit të KFOR-it atje është ende.

Pikërisht, edhe tash – kur zhurma ka kapluar veriun e vendit./SHQIP.com