Lajme

BE në linjë me SHBA-në, kërkon shtyrjen për 10 muaj të marrëveshjes për targat

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Bashkimi Evropian i ka dhënë mbështetje kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës drejtuar Kosovës, që ta shtyjë aplikimin e vendimit për targat.

Në një përgjigje për Shqip.com, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka deklaruar se Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që marrëveshja për targat të shtyhet për 10 muaj.

Lexo edhe:
Qeveria për targat: E kemi obligim sundimin e ligjit

“BE-ja ka qenë gjithmonë e qartë se vendimi i Kosovës për riregjistrimin e targave është legjitim. Që nga fillimi i këtij procesi, ne i kemi rekomanduar qeverisë së Kosovës që të vendosë një periudhë 12 mujore për riregjistrimin. Duke ndjekur të njëjtin arsyetim, tani po kërkojmë nga qeveria e Kosovës që të shtyjë afatin ekzistues për 10 muaj. Duhet të shmanget përshkallëzimi i tensioneve dhe, potencialisht, dhuna në veri të Kosovës. Kjo është e një rëndësie të veçantë në kontekstin aktual gjeo-politik, në funksion të ruajtjes së stabilitetit në rajon” ka thënë nga BE-ja për Shqip.com

Lexo edhe:
SHBA kërkon që marrëveshja për targat të shtyhet për 10 muaj

Reagimi i BE-së vjen dy ditë pas kërkesës së të dërguarit të posaçëm të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimorë, Gabriel Escobar që Qeveria e Kosovës të shtyjë për 10 muaj vendimin për targat.

Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim lidhur me afatin e regjistrimit të automjeteve me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, që të zgjatet deri më 31 tetor 2022.

Ky vendim, siç njofton Qeveria kishte ardhur pas bisedimeve me faktorët ndërkombëtarë, amerikanë dhe evropianë.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, e kishte mirëpritur vendimin e liderëve të Kosovës, për të pezulluar përkohësisht zbatimin e reciprocitetit ndaj Serbisë.

/Shqip.com