Lajme

Qeveria për targat: E kemi obligim sundimin e ligjit

Qeveria e Kosovës ka thënë se e ka për obligim zbatimin e ligjit, kushtetutshmërinë dhe vendimet qeveritare, kur është pyetur lidhur me kërkesën e të dërguarit të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar për shtyrje dhjetëmuajshe të afatit për riregjistrimin e makinave me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës, raporton Radio Evropa e Lirë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë kërkuar që vendimi për targat midis Kosovës dhe Serbisë të shtyhet edhe për 10 muajt tjerë.

Kjo është bërë e ditur përmes të dërguarit të SHBA-ve Gabriel Escobar gjatë një intervistë për Kanal 10.

“Nuk është sekret që ne kemi kërkuar një periudhë më të gjatë të zbatimit, dhe kemi kërkuar edhe 10 muaj të tjerë. Do të doja ta shihja këtë që të ndodhte. Kjo nuk është vetëm kërkesë e ShBA-ve, por e gjithë QUINTIT. Dhe, kjo është për shkak se ne jemi shtetet që e përkrahim më së shumti Kosovën. Besojmë se është e rëndësishme që kur ne bëjmë rekomandime, njerëzit t’i dëgjojnë ato”, ka thënë fillimisht Escobar.

Lexo edhe:
SHBA kërkon që marrëveshja për targat të shtyhet për 10 muaj

Escobar thotë se për shtyrjen e këtij vendimi nga ana e SHBA-VE nuk morën zotim nga Osmani e Kurti.

“Jo, nuk e morëm. Prandaj, ende po e pres këtë. E di që do të ketë edhe të tjerë zyrtarë nga Quinti që do të vizitojnë, zoti Lajçak do të jetë këtu. Dua të sigurohem që njerëzit që janë të përfshirë në negociata të dëgjojnë një përgjigje pozitive për këtë.”, ka thënë Escobar.

Escobar gjatë këtyre dy ditëve ka zhvilluar takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

/Shqip.com