BE-ja publikon agjendën e takimit Kurti-Vuçiq: Përqendrim në marrëveshjen për normalizim

Gjatë ditës së enjte me 18 gusht do të realizohet takimi në mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Përmes një njoftimi publik nga zyra për media e Bashkimit Evropian thuhet se takimi mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq do të fokusohet në arritjen e një marrëveshje për normalizim.
“Të enjten, 18 gusht, një takim i nivelit të lartë i Dialogut Beograd-Prishtinë do të zhvillohet në Bruksel. Ai do të lehtësohet nga Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell, mbështetur nga Përfaqësuesi i Posaçëm i BE Miroslav Lajçak. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe Kryeministri i Kosovës Albin Kurti do të marrin pjesë. Takimi do të fillojë në orën 10:30 dhe do të përqendrohet në rrugën përpara në Dialog dhe në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse normalizimi”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, këto bisedime do të trajtojnë gjithashtu çështjet aktuale dhe do të synojë zbutjen e tensionit aktual në terren

Përfaqësuesi i Lartë do të zhvillojë gjithashtu takime të veçanta me çdo udhëheqës.
Pastaj, thuhet që pas takimit do të ketë një deklaratë për mediat nga Borrell në fund të takimit.
Ndërsa, sot gjatë ditës së marte, Kurti ka biseduar në telefon me këshilltarin e Departamentit të Shtetit Amerikan Derek Chollet.
Kurti në telefon me Chollet ka vënë në fokus bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë si dhe arritjen e një marrëveshje finale mes këtyre dy vendeve që ka në qendër njohjen reciproke.
Po ashtu, bisedë të ngjashme ka pasur edhe me të dërguarin special për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach./Shqip.com