BE-ja nuk i komenton zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi, derisa nuk ka një raport
Bashkimi Evropian nuk ka pranuar të komentojë zgjedhjet parlamentare të mbajtura në Mal të Zi të dielën, derisa misioni vëzhgues zgjedhorë i kësaj institucioni të mos ketë një raport për to.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha po ashtu se blloku evropian nuk do të hyjë në debate apo kalkulime se kush do të duhej të formonte Qeverinë e re në Podgoricë, pasi sipas tij, kjo është çështje e brendshme e Malit të Zi.
“Mali i Zi është një partner shumë i rëndësishëm dhe kandidat [për anëtarësim në BE]. Siç e ka thënë edhe përfaqësuesi i lartë [i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri], Josep Borrell, pas takimit me presidentin [e Malit të Zi, Jakov] Millatoviq, Mali i Zi është shteti më i avancuar kandidat dhe për këtë ne kemi ndjekur me vëmendje zgjedhjet”, tha Stano.
Zgjedhjet në Mal të Zi i ka fituar Lëvizja Evropa Tani, me 26 për qind të votave, pasuar nga partia pro-evropiane Demokratike e Socialistëve me 23.8 për qind të votave. Aleanca konservatore për të Ardhmen e Malit të Zi, e udhëhequr nga Fronti Demokratik pro-serb dhe pro-rus ka fituar 14.7 për qind të votave. Ndërkaq, koalicion tjetër pro-BE-së që përfshin Partinë Demokratike dhe Lëvizjen URA të kryeministrit në largim, Dritan Abazoviq, doli në vendin e katërt me 12.3% të votave.
I pyetur se çfarë pasojash do të mund të kishte për Malin e Zi, nëse në ekzekutivin e ri do të ketë parti pro-ruse dhe vendi ndryshon kursin e politikës së jashtme, Stano tha se nuk dëshiron të spekulojë, por pret që Mali i Zi të vazhdojë me përshtatjen e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së.
“Të fokusohemi në fakte e jo spekulime se çfarë mund të ndodhë. Ne llogarisim në mbajtjen e kursit dhe kjo nënkupton edhe vazhdimin e përshtatjes së plotë me politikën e jashtme të BE-së. Mali i Zi ka një histori të gjatë të përshtatjes prej 100 për qind me politikën e jashtme të BE-së. Presim që kjo të vazhdojë. E dimë se kjo ka edhe çmim sepse kështu vendi bëhet cak i sulmeve hibride dhe tentimeve për ndërhyrje nga jashtë”, tha Stano, raporton REL.
Ai shtoi se Brukseli pret që Podgorica të vazhdojë të përmbushë kriteret që dalin nga procesi i zgjerimit të BE-së, veçmas në fushën e sundimit të ligjit.
Kreu i Lëvizjes Evropa Tani, Millojko Spajiq, gjatë një fjalimi të dielën mbrëma, tha se partia e tij nuk do të hyjë në koalicion me Partinë Demokratike të Socialistëve dhe Lëvizjen Qytetare Ura të Dritan Abazoviq. Ai tha se pret që ekzekutivi i ri i Malit të Zi të formohet sa më shpejt, duke shtuar se “ne do të formojmë një qeveri të re pro-evropiane”.
/Shqip.com