Lajme

Bashkësitë fetare kundër martesave të gjinisë së njëjtë: Po cënohet vullneti i Zotit si dhe zbulesa e tij e shenjtë

Bashkësia fetare e Kosovës

Bashkësitë fetare në Kosovë kanë dalë njëzëri me një deklaratë kundër martesave mes gjinisë së njëjtë, e drejtë e cila pritet të përfshihet në Kodin e ri Civil.

Bashkësia Islame e Kosovës, Dioqeza Prizren-Prishtinë (Kisha Katolike), Kisha Protestante Ungjillore dhe Bashkësia Hebraike deklarojnë se përmes Kodit të ri Civil “po rezultohet që të dobësohet përkufizimi dhe funksionimi i martesës në Kosovë”.

“Ta prekësh ripërkufizimin e martesës dhe të pjesëmarrësve në të, pra të burrit i lindur mashkull dhe të gruas e lindur femër, mendojmë se po cënohet vullneti i Zotit si dhe zbulesa e Tij e shenjtë”, thuhet në deklaratën e përbashkët të bashkësive fetare.

Ndër tjerash, u kanë bërë thirrje Qeverisë dhe institucioneve tjera që të tërhiqen nga kjo nismë.

“Bashkësitë fetare të Kosovës mbesin të bashkuara dhe me një zë të vetëm para ligjvënësve të Kuvendit të Kosovës, para Qeverisë dhe institucioneve të tjera, që të heqin dorë prej çdo ndryshimi, prej çdo ripërkufizimi, prej çdo riinterpretimi të neneve për familjen, martesën dhe statusin e bashkëshortëve në vendin tonë”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Në seancën që pritet të mbahet më 24 shkurt, do të hidhet në votim projektligji për Kodin Civil i cili parasheh lejimin e martesave të gjinisë së njëjtë./Shqip.com