Bashkëpronarë te “Equos Resort”, zbardhen dokumentet që faktojnë lidhjen e Shkëlqim Hoxhës me Ergys Agasin. Ish-drejtori i Berishës manovra me aksionet
Një ditë më parë Shqip.com zbuloi ekskluzivisht pronarët realë dhe ata fiktivë të “Equos Resort”. Një emër i rëndësishëm i PD ishte aty bashkëpronar me Ergys Agasin dhe familjarët e oligarkut, Klodjan Allajbeu. Shkëlqim Hoxha, ish-drejtori i Lojërave të Fatit në qeverinë e Sali Berishën zotëron rreth 45% të aksioneve të resortit i cili tanimë është nën sekuestro si pronë e paligjshme e Ergys Agasit, i dyshuari kryesor i dosjes AKSHI.
Në fakt, operacioni i SPAK që çoi në sekuestrimin e resortit luksoz me vlerë disa milionë euro në Mullet, shkon përtej një aksioni procedural për goditjen e aseteve të krimit të organizuar. Në fakt, aty gjenden fijet që lidhin PD dhe PS, Sali Berishën me Edi Ramën…

Gjithashtu, Shkëlqim Hoxha dyshohet se ka kryer një sërë manovrash me aksionet, duke ndryshuar strukturën e pronësisë në mënyrë të përsëritur. Këto lëvizje, sipas burimeve, kanë ndodhur në periudha kyçe dhe në kushte që kërkojnë verifikim më të thelluar nga institucionet përkatëse, kryesisht nga SPAK i cili ka në dorë dosjen.
Nga ana tjetër, emri i Ergys Agasit edhe pse nuk del me dokumente si bashkëaksioner në këtë sipërmarrje, nga hetimet e SPAK provohet roli i tij, ndërsa forcohen dyshimet për një bashkëpunim të hershëm mes palëve, pra njerëzve të Berishës dhe Ergys Agasit.

Ndërkohë, në qarqe mediatike dhe politike, emri i Shkëlqim Hoxhës është përmendur edhe më herët si një person që dyshohet të ketë vepruar si “prestanom” në disa biznese të lidhura me Shkëlzen Berishën, djalin e kryetarit të PD, Sali Berisha.

“Equos Resort” është një nga investimet që ka tërhequr vëmendje për shkak të vlerës së konsiderueshme dhe interesave të përfshira, ndërsa publikimi i këtyre dokumenteve mund të hapë një kapitull të ri hetimesh mbi transparencën dhe ligjshmërinë e transaksioneve të kryera.
Manovra me aksionet ka bërë edhe pronari fillestar i “Equos Resort”, Klodjan Allajbeu i cili ia ka kaluar aksionet Klodian Shehit, në vitin 2021.

Interesante më pas është një lëvizje sërish e Klodian Allajbeut. Ky i fundit emëron administrator të afërmin e tij, Fadil Allajbeu dhe largon Marvin Keçin. Pra, në një mënyrë apo tjetër, Klodjan Allajbeu do ta ruante prezencën e vet tek “Equos Resort” pavarësisht “lojës” me gjoja largime nga aksionerët.


Mbetet për t’u parë nëse institucionet ligjzbatuese do të ndërmarrin hapa konkretë për të verifikuar këto zhvillime dhe për të sqaruar çdo dyshim mbi menaxhimin e aksioneve dhe marrëdhëniet mes bashkëpronarëve.
/Shqip.com