SKANDAL/ Njeriu i Berishës ortak me Ergys Agasin te “Equos Resort”. Kompleksi luksoz i sekuestruar nga SPAK
Një figurë e rëndësishme e PD dhe një nga personat më të afërt të kryetarit Sali Berisha, rezulton ortak me Ergys Agasin tek kompleksi luksoz “Equos Resort”, i cili u sekuestrua nga SPAK.
Shqip.com mëson se sipërmarrësi Klodjan Allajbeu e ka shitur “Equos resort” disa vite më parë dhe blerësit janë identifikuar si njerëzit e Ergys Agasit i shpallur në kërkim për skandalin e tenderave të AKSHI. Aktualisht, një prej pronarëve të “Equos Resort” është një ish-kandidat i PD për kryetar bashkie. Madje, i njëjti në zgjedhjet e 11 majt 2025, kandidoi vajzën e tij për deputete me listat e PD.
Nuk mund të jetë aspak rastësi angazhimi politik i këtij personi, familjarisht tek e djathta, por njëkohësisht edhe bën biznes me segmente të caktuara të të majtës, apo më keq akoma, siç akuzon Sali Berisha, me vetë Edi Ramën (Berisha akuzon se pas tenderave të AKSHI qëndron familja e kryeministrit).
Agasi akuzohet edhe për pengmarrje të biznesmenëve konkurrentë të cilët shantazhoheshin dhe më pas tërhiqeshin nga procedura.
Mirëpo, ajo që e bën edhe më interesant megaoperacionin e SPAK që çoi në zbulimin dhe sekuestrimin e 40 mln euro pasurive të Ergys Agasit, Mirlinda Karçanajt dhe Ermal Beqirit, janë lidhjet politike të këtyre të treve të të cilat shkojnë përtej të majtës.
Ergys Agasi është akuzuar edhe në të kaluarën se ka akses jo të vogël edhe tek e djathta, përmes personazheve pranë saj që kontrollon dhe ndan fitimet me ta.
Shqip.com ka siguruar, nga burime të pakonfirmuara, emrin e ortakut të Ergys Agasit te “Equos Resort” dhe do ta publikojë në momentin që do ta verifikojë me saktësi.
Deri në këtë fazë, burimet tregojnë se bëhet fjalë për një person me lidhje të hershme në sektorin e investimeve, por identiteti i tij mbetet ende për t’u konfirmuar plotësisht. Shqip.com po vijon verifikimet përmes dokumenteve zyrtare dhe burimeve të tjera të besueshme, ndërsa pritet që në vijim të dalin detaje më të plota mbi strukturën e pronësisë dhe rolin konkret të ortakëve në këtë biznes.
/Shqip.com