Art Jetese

Bashkëjetesa përpara martesës, është diçka e mirë apo e keqe?

Kohë më parë, bashkëjetesa përpara martesës as që diskutohej, ndërkohë në ditët e sotme shihet si një fenomen normal.

Mirëpo ka disa gjëra që duhet të merren në konsideratë, përpara se të jetoni së bashku. Gjëja më thelbësore është të kuptoni arsyen se pse po jetoni bashkë.

Anët pozitive të bashkëjetesës

Ndarja e financave.

Nëse jetoni të dy në shtëpi me qera të ndryshme, sigurisht do të shpenzoni dy qera në fund të muajit. Ndërkohë që nëse jetoni bashkë, mund ta kurseni njërën nga qeratë për të ardhmen tuaj bashkë.

Kjo është arsyeja kryesore që i shtyn çiftet e reja të jetojnë bashkë, pasi jo vetëm kuptojnë se si janë në bashkëjetesë me njëri-tjetrin, por edhe kursejnë duke jetuar bashkë për të ardhmen e tyre, shkruan Living.

Do të përjetoni më pak stres, kur të martoheni.

Martesa sjell me vete shumë stres. Nëse nuk keni jetuar më parë me personin tjetër, do të mjaftoheni thjesht nga bisedat që keni bërë, apo nga kafet që keni pirë. Ama një thënie e vjetër popullore thotë se njeriun e njeh shtëpia, pra në thelb, ju e njihni një person duke jetuar me të.

Në këtë mënyrë do të mësoni mbi të gjitha zakonet që ka personi që doni, dhe kjo gjë do t’ju heqë një stres shumë të madh në momentin e martesës.

Bëheni më të afërt dhe ndërtoni një lidhje më të fortë.

Intimiteti është një aspekt tepër i rëndësishëm në çdo marrëdhënie, por më tepër në martesa. Kur përmendim fjalën “intimitet”, nuk nënkuptojmë vetëm atë fizik apo seksual, por edhe intimitetin emocional dhe intelektual, të cilat kanë rëndësinë e tyre.

Anët negative:

Personat e tjerë mund të mos e aprovojnë.

Ky është një problem i madh, sidomos kur bëhet fjalë për personat e afërm, sidomos për familjarët e çiftit. Nëse të dyja familjet nuk janë dakord, mund të bëhen shumë pengesë për bashkëjetesën. Edhe kur është vetëm njëra dakord dhe tjetra jo, sërish mbetet problem.

Mungesa e mbështetjes mund ta dobësojë marrëdhënien tuaj.

Të jetosh me partnerin apo partneren është një vendim i rëndësishëm dhe jo gjithmonë i lehtë. Nëse nuk keni mbështetje nga të tjerët, nga familjarë apo rrethi shoqëror, kjo gjë do ta prekë marrëdhënien tuaj dhe jo gjithmonë për mirë.

Të jetosh me dikë ka sfidat e veta dhe këtë mund ta kuptoni, nëse më parë keni ndarë qeranë me miqtë apo mikeshat tuaja. Pa një mjedis mbështetës përreth, marrëdhënia juaj mund të vendoset në risk, sepse mund të dalin në pah vështirësi që ti dhe partneri juaj mund të mos i keni hasur më parë.

Mund të kurseni para, por kjo gjë mund të dobësojë lidhjen tuaj.

Siç e përmendëm tek anët pozitive, mundet të kurseni duke jetuar bashkë, por me ato kursime mund të lindin edhe debate mes jush. Psh, njëri nga ju mund të mendojë se është e nevojshme blerja e një makine, ndërsa personi tjetër jo.

Nga ana tjetër, edhe për shpenzimet që do të bëni mund të keni kundërshtime. Ndonjë nga ju do të mendojë se ia vlen të blejë diçka, personi tjetër mendon se nuk ia vlen dhe nuk e sheh të arsyeshëm atë shpenzim.