Lajme

Basha merr vendim, përjashton Berishën nga PD-ja

Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, nuk do të jetë pjesë e Parlamentit. Kjo pasi mbrëmjen e së enjtes, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, njoftoi se ka marrë vendim për ta përjashtuar Berishën nga grupi parlamentar i PD-së, parti kjo që u themelua 30 vite më parë nga vetë Berisha.

Basha zgjodhi Amerikën përpara liderit historik të së djathtës shqiptare. Sipas tij, vendimi për përjashtim vlen derisa “të dalë në dritë e vërteta”, e vendimit të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili Berishën në maj të këtij viti e kishte shpallur person “non grata”.

Në një deklaratë për mediat, teksa theksoi rolin e rëndësishëm të Berishës në forcimin e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, kryedemokrati Lulzim Basha ka përsëritur thirrjen për transparencë në këtë proces.

“Ne e konsiderojmë SHBA-në aleatin tonë strategjik më të rëndësishëm për Shqipërinë. Berisha ka bërë të qartë se kjo është një çështje personale e tij dhe ku Partia Demokratike dhe Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nuk duhet të përfshihen. Për të shmangur çdo keqkuptim dhe për të konkretizuar këtë qëndrim të vetë Berishës, kam vendosur që deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës ligjore për transparencë dhe zbardhjes së plotë të kësaj çështje në rrugë gjyqësore, Berisha nuk do të jetë anëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike”.

“Kjo do të shmangte keqpërdorimin e çështjes nga kushdo, për të dëmtuar interesin e demokratëve dhe Partisë Demokratike, dhe do i hiqte alibinë cilitdo për të mbrojtur të keqen e vetme të Shqipërisë që është keqqeverisja dhe korrupsioni 8 vjeçar i Edi Ramës” deklaroi Basha përmes një video-mesazhi. 

Lexo edhe:
Sali Berisha padit për shpifje Sekretarin e Shtetit Amerikan, Antony Blinken

Ish-kryeministri Sali Berisha dhe familja e tij u shpallën “non grata” nga SHBA-ja në muajin maj të këtij viti. Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, përmes një mesazhi në Twitter, kishte thënë asokohe se ish-presidenti Berisha “me aktet e tija korruptive minojnë demokracinë”./SHQIP.com