Balluku kërkon të “kapë” edhe Burgjet, skenar me Toni Gogun për të emëruar të besuarën e saj në vend të Adriatik Kupit
Një tjetër përplasje për kontrollin e institucioneve të rëndësishme shtetërore duket se po zhvillohet në prapaskenë, këtë herë brenda sistemit të burgjeve.
Sipas burimeve mediatike, ministri i Drejtësisë Toni Gogu ka kërkuar largimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Adriatik Kupi, vetëm pak muaj pasi vetë Gogu e emëroi në këtë post.
Në vend të Kupit, sipas të njëjtave burime, po diskutohet emërimi i një gruaje që konsiderohet e afërt dhe e besuar e Belinda Ballukut.
Nëse kjo lëvizje konkretizohet, ajo do të ishte një tjetër ndryshim i fortë në një institucion jashtëzakonisht sensitiv.
Kështu, përveç Policisë, Belinda Balluku do të kontrolloj Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, strukturën që administron të gjithë sistemin penitenciar dhe, rrjedhimisht, kushtet, transferimet dhe regjimin e personave të privuar nga liria.
Adriatik Kupi u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve më 1 prill 2026, pas largimit të Klevis Qoses. Një ditë më pas, Toni Gogu e prezantoi publikisht duke deklaruar se ndryshimi bëhej për “fuqizimin e sistemit” dhe rritjen e disiplinës.
Pra pyetja është e drejtpërdrejtë: çfarë ka ndodhur në vetëm gjashtë muaj që ministri që e emëroi Kupin tani kërkon ta largojë?
Drejtoria e Burgjeve nuk është një drejtori rutinë administrate. Në institucionet penitenciare ndodhen persona të dënuar dhe të paraburgosur të profilit të lartë, përfshirë ish-zyrtarë, biznesmenë dhe persona të përfshirë në dosje të SPAK-ut.
Për këtë arsye, çdo emërim në krye të sistemit duhet të jetë i mbrojtur nga dyshimi se po bëhet për interesa politike apo për të favorizuar ose rënduar pozitën e personave të caktuar.
Nëse në vend të Kupit vendoset një person i lidhur politikisht me Belinda Ballukun, kontrolli politik mbi burgjet do të ishte një precedent shumë më serioz sesa kontrolli mbi një drejtori tenderash apo një ndërmarrje publike.
Drejtuesi i Burgjeve ka në administrim një sistem ku shteti ushtron formën më ekstreme të pushtetit ndaj individit, heqjen e lirisë.
Pikërisht për këtë arsye, çdo dyshim se drejtimi i këtij institucioni nga njerëz të Ballukut mund të përdoret për të ushtruar presion mbi kundërshtarë, armiq politikë apo persona që ndodhen në konflikt me një qendër të caktuar pushteti duhet të hetohet dhe sqarohet, jo të trajtohet si një rotacion i zakonshëm drejtorësh.
Nëse Toni Gogu e largon Adriatik Kupin vetëm gjashtë muaj pasi e emëroi, ministri duhet të shpjegojë publikisht pse po e largon dhe pse personi që do ta zëvendësojë është zgjedhja më e përshtatshme.
Sepse në sistemin e burgjeve nuk mjafton të dish kush ka çelësat. Duhet të dish edhe kush po vendos se kujt i jepen çelësat.
©️Shqip.com