Lajme

Bajqinovci opozitës: Byroja për konfiskimin e pasurisë nuk të heton nëse nuk je hajn

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje(LVV) Mefail Bajqinovci

“Projektligji për Byron e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme do të kalojë në Kuvend brenda dy javëve”.

Kështu ka thënë deputeti i Lëvizjës Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, i cili tha se nuk po e kupton opozitën pse janë duke e kundërshtuar, teksa flet për shefin e grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashin.

“Këtë pyetje duhet t’ia bësh zotëri Gashit. Pse e pranuat Byron kur ishim bashkë në koalicion e jo tani? Ku është problemi? A e ka kërkuar vetë opozita që ta dërgojmë në Venecia. E kemi kërkuar dhe e kemi inkorporuar në ligj. A e din ku është problemi? Po e shohin veten aty. Po thonë se mund të ndjekim opozitën. Por qysh mundet me të hetu ajo kur nuk je hajn?”, thotë ai.

Tutje ai tha se për vettingun në drejtësi duhet konsensus i gjerë, ndërsa për Byron nuk do të ketë probleme dhe do të kalojë për dy javë.

Ai tha se për këtë edhe kryeministri është duke zhvilluar takime me opozitën.

“Ajo shkon. Vettingu kemi problem. I kemi votat për atë. Besoj që brenda dy javëve do të kemi miratimin e Byros. Ndërsa për Vetting duhet konsensus më i gjerë. E kemi parë Kurtin në takim me zotëri Krasniqin dhe përfaqësues tjerë të opozitës. Ajo do kohë”, shton ai.

Lexo edhe:
Konjufca nuk voton për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme

Ndryshe, për krijimin e kësaj byroje, nevojitet miratimi i ligjit për krijimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Një ligj të tillë, Qeveria e Kosovës e ka miratuar në dhjetor të vitit 2021. Në muajin shkurt të këtij viti, ndërkaq është dërguar për miratim në Kuvendin e Kosovës.

Siç thuhet në projektligj, ai zbatohet ndaj pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme nga personat zyrtarë, personat e ekspozuar politikisht, anëtarët e tyre të familjes dhe palët e treta.

Projektligji përfshin periudhën nga data 17 shkurt 2008, dhe periudhën brenda dhjetë vjetësh nga momenti kur zyrtarët publikë pushojnë së ushtruari funksionin e tyre.

Persona të ekspozuar politikisht nënkupton personat fizikë të huaj apo vendorë, të cilët janë ose kanë qenë të ngarkuar me funksione të larta publike.

Lexo edhe:
“Kuvendi të kërkojë opinione nga Komisioni i Venecias për Projektligjin për Konfiskimin e Pasurisë”

Pasuria do t’iu verifikohet edhe anëtarëve të familjes, bashkëshortit/es, fëmijëve, prindërve, vëllezërve, motrave dhe palëve të treta.

Sipas legjislacionit, byroja ka kompetencat dhe përgjegjësitë për të zhvilluar procedurën e verifikimit të pasurisë dhe parashtron propozimin për konfiskim të pasurisë në gjykatë./SHQIP.com