Lajme

Bajqinofci: Kjo është qeverisja e parë që nuk e pengon asnjë hetim

Deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinofci tha se qeverisja e tanishme është e qeverisja e parë që nuk e pengon asnjë hetim por po i ndihmon sistemit të drejtësisë që të luftohet krimi.

“Kjo është qeverisja e parë që jo vetëm nuk pengon asnjë lloj hetimi, por përkundrazi është me e interesuar se vet prokuroria që krimi, sidomos ai i nivelit të lartë, të luftohet. 14 shkurti 2021 është moment i pakthyeshëm. Shteti do të bëhet”, shkroi Bajqinofci.

Përmes një postimi në Facebook, Bajqinofci tha se ndërtimet ilegale në Brezovicë lulëzuan pasi që atje kishte njerëz të politikës dhe biznesit.

“Ligji ishte këtu për pothuajse 23 vite, e Brezovica shumë më moti. Por, ndërtimet ilegale atje lulëzuan dhe askush për gjithë këto vite nuk mundi ta ndalojë shkatërrimin. Pse?! Sepse njerëz të fuqishëm të politikës e biznesit ishin atje. U deshtë vetëm ndërrimi i njëmendtë politik në qeverisje të bëjë të mundur hetimin dhe sot edhe konfiskimin e mbi 100 shtëpive atje. Dikush thotë se prokuroria po e bën, por edhe prokuroria ishte këtu shumë moti”, shkroi Bajqinofci.

Sekuestrohen 100 objekte të ndërtuara në zonën e Brezovicës – SHQIP.com

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se 100 objekte të ndërtuara në zonën e Brezovicës janë sekuestruar.

Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi për media.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se pas vlerësimit të raporteve nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë dhe raporteve nga Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe Departamenti për Menaxhim i AMMK-së, lidhur me inspektimin e jashtëzakonshëm të objekteve të  ndërtuara në Brezovicë –  Zona e II-të, e Parkut Kombëtar “Sharri”, nga këto raporte vërtetohet se në këtë zonë, janë të ndërtuara rreth njëqind (100) objekte në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri” nr.04/L-087 si dhe Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri” të aprovuar nga Kuvendi i Kosovës”

Objektet e sekuestruara sipas njoftimit janë ndërtuar në kundërshtim me ligjet që rregullojnë Parkun Kombëtar.

“(100) objekte ndërtimore, të cilat sipas Prokurorisë, janë ndërtuar duke keqpërdorur detyrën zyrtare nga të pandehurit në këtë rast, me lëshimin e lejeve ndërtimore në kundërshtim me ligjet që rregullojnë Parkun Kombëtar “Sharri”, thuhet në njoftim.

Shqip.com merr vesh po ashtu se rreth dy javë më parë, shtatë persona janë arrestuar nga aksioni të cilin e ka zhvilluar Prokuroria e Shtetit në kuadër të rastit “Brezovica”.

Lajmin për Shqip.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Vjosa Baftiu e cila tha se personat e arrestuar janë nga aksioni i zhvilluar në 11 lokacione.

“Në 11 lokacionet e bastisura në të cilat është zhvilluar aksioni, tetë prej tyre janë në Prishtinë, dy në Fushë Kosovë dhe një është në Podujevë”.

Personat e arrestuar dyshohen për fajde, dhënje rryshfeti dhe ushtrim i ndikimit.

/Shqip.com