Lajme

Avokati i Thaçit kërkon që të nxjerrën të gjitha dokumentet që Serbia ia dha Speciales kundër krerëve

Gregory Keohe, avokati i ish-Presidentit, Hashim Thaçi

Gregory Keohe , avokati i ish-Presidentit, Hashim Thaçi, në Gjykatën Speciale ka vazhduar me kritikat e ashpra për vonesën e Prokurorisë në nxjerrjen e materialeve, e që po e vonon edhe krejt procesin.

Keohe gjatë seancës për ecurin e çështjes, ka thënë se Prokuroria ka dështuar që t’i bëj gjërat në momentin e duhur ashtu siç e ka obligim dhe i njëjti ka deklaruar se ka vite që avokatët po presin materialet që do duhej të nxjerreshin shumë më herët.

“Ata kanë dështuar për t’i bërë gjërat në momentin e duhur. Kolegët e mij janë të interesuar që kjo çështje të ecë me shpejtësinë e duhur për të kaluar në gjykim. Ka vite dhe ne po vazhdojmë të presim materialet e rregullës 103. Ka shënime të takimeve që ka bërë ZPS-ja në 2016 dhe 2017 dhe kjo nuk është nxjerrje e menjëhershme. Kur ju dhatë urdhër për nxjerrjen e materialeve, nuk e kishit fjalën për vite me radhë”, tha ai.

Avokati Keohe ka thënë se nuk ka asnjë pretekst për ZPS-në, dhe sipas tij kjo është aryeja pse kanë kërkuar që të vijë një mbikëqyrës i pavarur.

“Nuk ka asnjë pretekst për ZPS-në, dhe kjo është arsyeja pse ne kemi kërkuar që të vijë një mbikëqyrës i pavarur që të vijë për të analizuar këto materiale. Janë klientët tanë që i vuajnë këto vonesa. Ju kujtojmë që këtu bëhet fjalë për nxjerrjen e menjëhershme siç keni thënë shumë herë në urdhërat tuaja”, tha ai.

Keohe tha se duhet analizuar edhe bashkëpunimi i Prokurorisë së Speciales me Serbinë dhe sipas tij mund të ketë pasur falsifikime të provave e ngjarjeve.

“ZPS ka një zyrë në Beograd. Çka dijmë ne për falsifikimin e rasteve që mund të kenë bërë autoritetet serbe që t’i fajësojnë kosovarët. Ku ndodhemi aktualisht me bashkëpunimin e ZPS-së me autoritetet serbe. Ajo që është raportuar në media është se ish-ambasadori i Serbisë në Zvicër ishte përgjegjës që t’i dërgonte Martyt dokumente. Ambasadori tha se raporti i Martyt është i bazuar në mijëra faqe që ka marrë nga serbët”, tha ai.

Gjatë kësaj seance, Keohe përmendi edhe rastin e Dick Martyt, të cilin u zbulua se ka pasur plane që ta vrasin autoritetet serbe, e që më pas këtë deshën ta fajësonin kosovarët.

“Është zbuluar një përpjekje për të vrarë Dick Martyn. Ne e kemi paraqitur këtë në parashtrimin për lirimin deri në gjykim. Autoritetet serbe deshën të fajësonin kosovarët për vrasjen e Dick Martyt. Qëndrimi i tyre është në kundërshtim me rregullën për shkak të marrëdhënieve që ata kanë me Serbinë. Është materiali 103-shit që ndikon mbi besueshmërinë e provave që paraqet ZPS-ja. Në qoftë se del një kontratë për vrasjen e zotit Dick Marty dhe krijohet një operacion i fshehtë, dhe kur ndodhi kjo? Pak pasi klientët tanë u sollën në Hagë. Doli kjo kontratë dhe shërbimi sekret zviceran e zbuloi një gjë të tillë”, tha Keohe.

Ai ka thënë se duhet të dinë se cila është origjina e dokumenteve që nxjerr ZPS nga shteti serb.

“Arsye pse e përmenda situatën e Martyt është se kanosja që vjen nga shërbimet serbe të zbulimit për të infiltruar dhe penguar drejtësinë në këtë çështje. Të gjitha dokumentet që ata i sigurojnë nga shërbimet sekrete, duke pasë parasysh historikun që ka të bëj me këto materiale, pra është një kanosje serioze dhe një mënyrë është që të nxjerren që të gjitha dokumentet që merren nga serbët”, tha Keohe./Shqip.com