Lajme

Avokati i Thaçit: Kemi kërkuar mbi 1 mijë dokumente nga ZPS-ja, janë 100 dëshmitarë që as s’i njohim

Seanca gjyqësore në Gjykatën Speciale në Hagë

Mbrojtja e ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në seancën statusore të radhës në Gjykatën Speciale ka shprehur shqetësimin me taktikat e Prokurorisë.

Avokati i Thaçit, Gregory Kehoe, ka thënë se deri më tani mbrojtja ka kërkuar mbi 1000 dokumente të ndryshme.

Sipas tij, ndonëse ishte premtuar se ato do t’i dorëzoheshin mbrojtjes, deri më sot kjo nuk ka ndodhur.

“Ne kemi kërkuar prej konferencës së fundit mbi 1000 dokumente. Asnjë premtim nuk është përmbushur. Jemi të shqetësuar me vonesat. Kemi shumë dëshmitarë, rreth 100 prej tyre të cilëve nuk ua dimë emrat, nuk e dimë kush janë, nuk dihen vendet. Të gjitha janë të redaktuara“, ka shtuar ai.

Edhe mbrojtja e krerëve tjerë të UÇK-së është ankuar të gjykatësi i Paraprakes për vonesat që janë duke u krijuar.

Mbrojtja dyshon që këto vonesa po krijohen për të zvarritur fillimin e procesit gjyqësor kundër krerëve të UÇK-së.

Po ashtu, Kehoe ka thënë sot se ZPS ka bashkëpunuar me shërbimin e fshehtë të Serbisë për të marrë materiale lidhur me të akuzuarit në Hagë.

Keohe tha se këto materiale nuk kanë arritur deri në aktakuzë.

“ZPS-ja po ka të bëjë me shërbimin e fshehtë serbë nga i cili ka marrë shumë materiale, ka dëgjuar dhe ka marr shumë akuza që sigurisht që nuk e gjetën rrugën deri në aktakuzë, që bashkëpunojnë me Rusinë, siç po ndodh në Ukrainë por kjo është një gjë tjetër. Siç thashë po merr prova materiale nga serbët që padyshim do ta cenojnë kredibilitetin e ZPS-së”, tha ai sot në konferencën për ecurinë e çështjes në rastin Thaçi dhe të tjerët.

Derisa avokati i Thaçit po fliste, Gjykata Speciale disa herë e ka mbyllur këtë seancë për publikun./Shqip.com