Lajme

Avokati serb: Vuçiq nuk ka interes të zbardh vrasjen në kafeterinë “Panda”

Avokati serb Ivan Niniq
Avokati serb Ivan Niniq

Avokati serb Ivan Niniq ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk do ndërmarrë asnjë veprim për zbulimin e nxitësve, organizatorëve dhe autorëve të krimit në kafenenë “Panda” të Pejës, pasi për të kjo do të përbënte humbje politike.

Niniq tha se për gjashtë vjet, Vuçiq refuzoi të takonte prindërit e fëmijëve të vrarë, të cilët i kërkuan atij që t’ua jepte të gjitha detajet që ai ka për masakrën në kafenenë në Pejë, e cila ndodhi më 14 dhjetor 1998.

“Vuçiq do t’i pranojë prindërit, sepse mund të shkaktojë dëm politik dhe mendoj se tani duke e zgjatur atë, kërkon një strategji adekuate komunikimi. Kjo nënkupton që ai të kryejë një intervistë protokollare, me të cilën nuk është fare rehat, pa marrë në fakt asnjë veprim dhe sigurisht duke mos qenë në humbje në kuptimin politik”, vlerësoi avokati, në një intervistë për mediumin serb N1.

Niniq riktheu në kujtesë, deklaratën e Vuçiqit dhënë në vitin 2013, ku kishte thënë se pas vrasjes në kafetërinë “Panda” nuk qëndronin shqiptarët.

“Në atë kohë, në mënyrë dinake dhe perfide, duhet të dërgoheshin sinjale krejtësisht të ndryshme si në publikun vendas, ashtu edhe në atë ndërkombëtar, se reliket e së kaluarës kishin mbaruar karrierën e tyre dhe sot shohim që nuk është aspak kështu”, shpjegoi avokati.

Sipas tij, Vuçiq krijoi iluzionin në familjet e të rinjve të vrarë, se ai është garant që krimi përfundimisht do të zbardhet.

“Dhe nuk është rastësi që në të njëjtin vit (2013) ai riaktivizoi historinë e vrasjes së Slavko Ćuruvija, duke pretenduar se është vrarë nga shteti”.

Niniqi thekson se në këtë mënyrë Vuçiqi me pozitën më të lartë në shtet, shqetëson opinionin dhe pengon provën, “sepse nëse e di kush janë nxitësit dhe autorët e këtij krimi, atëherë e di pse nuk ka pasur aktakuzë dhe procedura gjyqësore për dhjetë vjet”.

“Besoj se ai di absolutisht gjithçka, sepse formalisht ka qenë koordinator i shërbimeve të sigurisë për një kohë të gjatë dhe ka mundur edhe atëherë, ashtu si edhe tani, të kërkojë raport për gjithçka ka ndodhur në ‘Panda’ dhe më pas. Prindërit e shohin gjatë gjithë kohës si adresë, në vend të prokurorisë.  Fatkeqësisht, nuk ka asnjë prokuror që me forcën e integritetit të tij do të ndriçonte krimin në Pejë dhe do të ngrinte aktakuzë pa dijeninë dhe miratimin e Vuçiqit”, tha Niniq.

Prandaj, shtoi ai, çështja “Panda” është në radhë të parë çështje politike, jo juridike.

“Sa më shumë kalon koha aq më shumë zbehen provat, por nuk ka dyshim se sigurimi e mban nën kyç dokumentacionin e çështjes. Nuk ka dyshim se ka dokumente që nuk janë në zotërim të prokurorisë, vetëm sepse do të rrezikonte shtetin dhe individët që në shërbim të një regjimi iu drejtuan metodave subversive të trajtimit të shqiptarëve, duke sakrifikuar jetën e të rinjve të pafajshëm”, theksoi avokati.

I pyetur nëse dikush mund të pritet të marrë statusin e bashkëpunëtorit të të pandehurit, Niniç tha se këtë status mund ta marrë vetëm dikush që bën marrëveshje me Vuçiqin dhe më pas rivalidohet zyrtarisht përmes procedurave gjyqësore.

“Pas pranimit nga Vuçiq, prindërit e viktimave duhet të ushtrojnë mekanizma të ndryshëm presioni ndaj prokurorisë si institucion dhe të kërkojnë pranim në Prokurorinë për Krim të Organizuar dhe në Prokurorinë Publike të Republikës. Një presion i tillë në këtë rast është jo vetëm legjitim, por edhe padyshim i nevojshëm dhe pa të do të vazhdojë të trokasë gjithçka në vend”, tha ai.

Niniq kujton se hetimi për masakrën në “Panda” ka munguar për më shumë se dy dekada dhe se kanë kaluar nëntë vjet që kur Vuçiq la të kuptohet se e dinte të vërtetën, të cilën shteti dhe institucionet e fshehin edhe sot e kësaj dite.

“Kjo do të thotë se shteti, gjegjësisht reliket e së kaluarës në shërbimet e sigurisë dhe prokurorinë e kapur nga partia, janë tallur me jetët dhe fatet e njerëzve gjatë gjithë këtyre viteve në mënyrën më të vrazhdë të mundshme”, ka përfunduar Ivan Niniq.

Më 14 dhjetor 1998, dy persona të maskuar vranë me breshëri automatiku në kafenenë “Panda”, Ivan Obradoviqin (15), Vukota Gvozdenoviqin (16), Svetislav Ristiqin (18), Zoran Stanojeviqin (18), Ivan Radeviqin (24) dhe Dragan Trifoviqin (18), u plagos rëndë Vlad Lonçareviqi (18) dhe lehtë, Mirsad Shaboviqi (34) dhe Nikola Rajoviq (18).

Deri më 28 dhjetor 2013, familjarët e të rinjve të vrarë dhe publiku ishin të bindur se krimi ishte kryer nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Mirëpo, nënkryetari i parë i Qeverisë atëhershme të Serbisë dhe shefi i Byrosë për Koordinimin e Shërbimeve të Sigurisë, Aleksandar Vuçiq, kishte thënë në TV Pink se krimin nuk ishte kryer nga shqiptarët.

“Krimi në ‘Panda’ nuk është bërë nga shqiptarët, siç kemi besuar deri më tani. Tani publiku do të tmerrohet kur të zbulohet e vërteta”.

Vuçiq më vonë u tha gazetarëve se është pothuajse i sigurt se e di se çfarë ka ndodhur në “Panda”, por se “nuk ka asnjë provë” dhe se autoritetet hetuese të Serbisë nuk mund të “krenohen” me mënyrën se si e kanë kryer hetimin.

Hetimi për krimin në kafenë “Panda”, ka nisur vetëm në maj të vitit 2016 në Prokurorinë për Krimin e Organizuar të Serbisë dhe deri më tani janë marrë në pyetje mbi 40 persona.

Që nga viti 2017, prindërit e të vrarëve i janë drejtuar dhjetëra herë zyrës së Presidentit të Serbisë, duke kërkuar takim me Vuçiqin, ndërsa ky i fundit u premtoi të mërkurën se do t’i presë prindërit deri në fund të janarit.

/Shqip.com