Lajme

Autobusët shtrenjtojnë çmimet, 35 Euro bileta kthyese për pushime nga Shqipëria në Kosovë

Ilustrim

Udhëtimi me autobusë nga Kosova për në Shqipëri mund të ju kushtojë më shtrenjtë këtë vit.

Kjo pasi, bileta kthyese nga Shqipëria për në Kosovë kushton hiç më pak e hiç më shumë se 35 euro për person.

Këtë e ka konfirmuar kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve, Ruzhdi Kurtishaj, në një bisedë për SHQIP.com.

“Ngritja e çmimit të derivateve të naftës ka dëmtuar shumë qytetarët e vendit e në veçanti sektorin e transportit rrugor me autobusë. Këta operatorë aktualisht operojnë me çmime ekzistuese ndërsa çmimi i naftës është jashtëzakonisht i lartë. Këto kompani janë para aktit të kryer. Nëse Qeveria nuk e zbret akcizën e naftës, atëherë sigurisht se do të rriten edhe çmimet e biletave”, u shpreh ai.

Se në biletat një drejtimëshe për në qytete të ndryshme të Shqipërisë është shënuar ngritje e çmimit, e konfirmojnë edhe kompanitë e autobusëve.

Çmimorja e re nga kompania “Arditi Tours”
Çmimorja e re nga kompania “Sharr Travel”

Kompanitë e autobusëve përmes një njoftimi në Facebook, kanë bërë të ditur se nga data 15 qershor do të operojnë me çmimore të re.

Një biletë kthyese nga Durrësi në Prishtinë kushton 20 euro. Ndërsa, nga destinacioni Sarandë-Ksamil-Prishtinë kushton 35 euro për person.

Ardit Fazliu i cili është pronar i kompanisë së autobusëve “Arditi Travel”,  që operon në Shqipëri dhe shtete tjera Evropiane, thotë se janë imponuar t’i bëjnë këto çmime për shkak të shtrenjtimit të karburantit.

Ai thotë se me derivate të naftës furnizohet në shtete të tjera për shkak të çmimit më të arsyeshëm.

“Gjithmonë e mbushi rezervuarin e autobusit në Slloveni për shkak se është më lirë, ka raste edhe në Ulqin sespe është 1.58 euro”, tha Faziu për SHQIP.com.

“Në Slloveni 1.66 është çmimi i derivateve të naftës kurse në Kosovë e marrim me shumicë 1.88. Kjo është një tmerr çka po ndodh në Kosovë, por e kanë mundësinë me bë këtë edhe e bëjnë”, shtoi ai.

“Qeveria në asnjë moment nuk bën për kompanitë. Në poloni e marr naftën 1.60, në Gjermani 1.85 kurse në Kosovë 1.92 dhe 1.95. Një qeveri që e kemi prit shumë ma mirë e na ka dalë edhe më keq”, u shpreh ai.

Fazliu i bëri thirrje Qeverisë që ta heqë akcizën.

“Akciza duhet me u heq e një gjë të tillë nuk po e bën Qeveria”- shtoi ai.

Çmimi i naftës dhe benzinës po vazhdon të rritet.

Një litër naftë sot është shitur nga 1.86 deri në 1.90 euro në pompat e derivateve në Kosovë.

Theksojmë se Komuniteti i biznesit ka kërkuar urgjent nga Qeveria e Kosovës heqjen e akcizës për naftën për një afat të caktuar në mënyrë që të ulet çmimi i naftës në tregun e Kosovës.

Gjithashtu, po kërkohet që të hiqet edhe TVSh-ja për produktet esenciale.

Për këtë, ministri i Financave, Punës dhe Trasnfereve, Hekuran Murati përmes një postimi në Facebook ka thënë se thirrjet për ulje të akcizës së naftës janë “thirrje për trashje të fitimit të tregtarëve”.

Lexo edhe:
Murati: Thirrjet për ulje të akcizës së naftës janë thirrje për trashje të fitimit të tregtarëve

Sipas tij, ulja e TVSH-së apo akcizës në situata kur vendi përballet me inflacion, jo domosdo reflektohet në zbritje të çmimit tek konsumatori.

“Ndërsa thirrjet e opozitës që Qeveria të ulë TVSH-në apo akcizën në naftë ose produkte tjera, nuk i shërbejnë interesit të qytetarëve. Përkundrazi, një veprim i tillë vetëm sa do të trashte fitimet e tregtarëve në njërën anë, dhe do të kufizonte mundësitë e shtetit që t’i mbështesë familjet në nevojë në anën tjetër”, ka shkruar Murati.

Edhe partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka kërkuar reflektim nga ana e Qeverisë lidhur rreth shtrenjtimit të karburanteve.

Ndërsa, me kërkesë të GP të LDK-së më 23 qershor do të mbahet debat parlamentar dhe propozohen rekomandime për zbutjen e rritjes së çmimeve.

Heqjen e TVSh-së dhe akcizës e ka kërkuar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Theksojmë se ditëve në vijim do të zhvillohet një takim mes Shoqatës së Naftëtarëve dhe Qeverisë së Kosovës për të diskutuar për ngritjen e çmimit të derivateve të naftës.

Lexo edhe:
Berjani: Partitë po e shfrytëzojnë për poena politike rritjen e çmimit të naftës

Lajmin e ka konfirmuar për SHQIP.com, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani./Shqip.com