Ekonomi

Berjani: Partitë po e shfrytëzojnë për poena politike rritjen e çmimit të naftës

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani

Ditëve në vijim do të zhvillohet një takim mes Shoqatës së Naftëtarëve dhe Qeverisë së Kosovës për të diskutuar për ngritjen e çmimit të derivateve të naftës.

Lajmin e ka konfirmuar për SHQIP.com, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani.

“Takimi do të mbahet ditëve në vijim” – tha shkurtimisht.

Berjani po ashtu foli edhe për reagimin e ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Ai tha se Shoqata nuk ka kërkuar heqje të akcizës.

Ndërsa shton se shtrenjtimi i çmimit të naftës po shfrytëzohet nga partitë politike për të përfituar poena politike.

“Unë si kryetar i shoqatës asnjëherë nuk kam kërkuar heqjen e akcizës qysh prej se kanë qenë Qeveri të ndryshme dhe tash që është Albin Kurti. Kjo Qeveri është duke u përballur një kohë të gjatë me rritje ekstreme të derivateve në Berzë. Këtë situatë janë duke e shfrytëzuar edhe partitë politike për poena politike. Ne nuk mund të garojmë me shtetet evropiane dhe dihet se Kosova ka një buxhet 2.7 miliardë euro”, ka thënë Berjani.

Ilustrim

Çmimi i naftës dhe benzinës po vazhdon të rritet.

Një rritje është vërejtur edhe sot, kur një litër naftë dhe benzinë ka arritur një shifër rekorde, duke u shitur gati 1.90 euro.

Një litër naftë sot është shitur nga 1.86 deri në 1.90 euro në pompat e derivateve në Kosovë./Shqip.com