Ekonomi

Auditori i Përgjithshëm gjen keqplanifikim të buxhetit në institucione

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës

Organizatat buxhetore vazhdojnë të kenë karakteristikë keq-klasifikimin në planifikimin e shpenzimit të buxhetit, transmeton Shqip.com.

Kështu bën të ditur Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, i cili njoftoi se deri në këtë periudhë, procesi i auditimit për vitin 2020, ka përfunduar për gjithsej 46 institucione, ndërsa 78 të tjera janë në fazën finale.

Po ashtu ai ka thënë se për shkak të ndikimit të pandemisë këtë vit është më e theksuar vonesa në realizimin e projekteve.

“Shumica e organizatave buxhetore vazhdojnë të kenë vështirësi të theksuara me regjistrimin, mirëmbajtjen dhe azhurnimin e pasurisë që kanë dispozicion. Kanë mjaft telashe me mirëmbajtjen e shënimeve për llogari të arkëtueshme, në shumicën e rasteve po gjejmë nënvlerësime apo mbivlerësime”, ka thënë ai për EO.

“Vazhdon të jetë karakteristike keqklasifikimi qoftë në planifikim të buxhetit, qoftë në shpenzim të buxhetit dhe ajo që është po ashtu e rëndësishme është sa i përket projekteve për shkak të ndikimit të pandemisë është pak më e theksuar vonesa në realizimin e këtyre projekteve dhe ka rënë niveli i sistemit të kontrollit për menaxhimin e kualiteteve të këtyre raporteve të cilat janë zbatuar apo janë në zbatim”, është shprehur Osmani.

Tutje Osmani ka njoftuar se ka raste të trajtuara nga zyra ligjore e tyre në të cilat janë evidentuar veprime që nuk kanë qenë në pajtim me normat ekzistuese në fuqi nga menaxherët, drejtuesit e organizatave dhe personat tjerë përgjegjës.

“Rastet të cilat potencialisht mund të jenë vepra penale që trajtohen në departamentin tonë ligjor dhe njësinë përkatëse anti-korrupsion janë informacione që ndahen me institucionet relevante në sektorin e drejtësisë dhe pastaj ata të bëjnë vlerësime. Ajo çka është evidente në raportet tona sepse për herë të parë ne këtë vit po japin konkluzion mbi pajtueshmërinë e veprimeve që do të thotë nëse menaxherët, drejtuesit e organizatave personat përgjegjës kanë marr veprime në pajtim me rregulloret dhe kornizën ligjore. Në shumicën e rasteve në raportet e publikuara deri më tani ne kemi një varg çështjesh të evidentuara dhe të raportuara kur këto veprime nuk kanë qenë në pajtim me normat ekzistuese në fuqi”. /Shqip.com