Astronomët zbulojnë imazhin e parë të vrimës së zezë në qendër të Rrugës së Qumështit
Një ekip ndërkombëtar astronomësh zbuluan të enjten imazhin e parë të një vrime të zezë supermasive në qendër të galaktikës Rruga e Qumështit, një trup kozmik i njohur si Shigjetari A*.
Astronomët besojnë se pothuajse të gjitha galaktikat, duke përfshirë edhe tonën, kanë këto vrima të zeza gjigante në qendër të tyre, ku drita dhe materia nuk mund të shpëtojnë, duke e bërë jashtëzakonisht të vështirë marrjen e imazheve të tyre.
Drita përkulet dhe përdredhet në mënyrë kaotike nga graviteti ndërsa thithet në humnerë së bashku me gazin dhe pluhurin e mbinxehur.
Imazhi nuk përshkruan vetë vrimën e zezë, sepse ajo është plotësisht e errët, por gazi i ndezur që rrethon fenomenin, i cili është katër milionë herë më masiv se Dielli, në një unazë të ndritshme drite përkulëse.
“Këto vëzhgime të paprecedentë kanë përmirësuar shumë të kuptuarit tonë të asaj që ndodh në qendër të galaktikës sonë,” tha shkencëtari i projektit EHT Geoffrey Bower, nga Academia Sinica e Tajvanit.
Rezultatet janë publikuar në The Astrophysical Journal Letters.
Feryal Ozel i Universitetit të Arizonës e quajti vrimën e zezë “gjiganti i butë në qendër të galaktikës sonë” ndërsa shpalli imazhin e ri.

Shigjetari A*, i shkurtuar në Sgr A*, i cili shqiptohet “sage-ay-star”, i detyrohet emrit të tij zbulimit në drejtim të yjësisë së Shigjetarit.
Ekzistenca e tij supozohet që nga viti 1974, me zbulimin e një burimi të pazakontë.
Në vitet 1990, astronomët hartuan orbitat e yjeve më të shndritshëm pranë qendrës së Rrugës së Qumështit, duke konfirmuar praninë e një objekti kompakt supermasiv atje, punë që çoi në Çmimin Nobel 2020 në fizikë.
Megjithëse prania e një vrime të zezë mendohej të ishte shpjegimi i vetëm i besueshëm, imazhi i ri ofron provën e parë vizuale të drejtpërdrejtë.