Lajme

Arsyetimi i përfaqësuesit të Qeverisë: Jemi vend importues, bashkë me produktet importojmë edhe çmimin

Lufta në Ukrainë ka ndikuar jashtëzakonisht shumë në ngritjen e çmimeve të derivate dhe të artikujve të përditshëm ushqimor edhe në vendin tonë.

Zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Getoar Mjeku, ka thënë se një gjë e tillë ka qenë e pritshme, duke pasur parasysh krizën globale dhe faktin që ne jemi një ekonomi që importon.

”Ne jemi një vend importues, sidomos tek artikujt ushqimor, e që arrijnë diku 90 përqind. Për çdo euro që eksportojmë, ne importojmë 7 euro. Në tërësi eksporti është rritur vitin e kaluar dhe sivjet, por ne ende jemi një ekonomi që varemi nga zhvillimet botërore dhe bashkë me produktet që i sjellim në Kosovë importojmë edhe çmimin”, është shprehur Mjeku në emisionin “RTK Prime”.

Megjithatë, ai ka thënë  atë që ajo çfarë po bënë Qeveri është që të garantojë që rritja e çmimeve nuk po sajohet në Kosovë.

“Ne duam të sigurohemi se nuk ka keqpërdorime, në mënyrë që të mos dëmtohet qytetari dhe të fitojë një tregtar në mënyrë të pandershme. Për këtë arsye kemi marrë vendim për kontrollimin e marzhës tregtare në derivate, teksa së fundmi kryeministri Kurti njoftoi subvencionimin e bujqve sepse përderisa nuk prodhojmë naftë, ne prodhojmë drithë, miell dhe bukë dhe mund ta përkrahim prodhimin vendor”, ka thënë Mjeku.

Ai tutje ka thënë se si qeveri po marrim të gjitha veprimet e mundshme në kuadër të kompetencave që kanë dhe në kuadër të legjislacionit në fuqi për ta lehtësuar barrën e një krize në shkallë botërore.

“Marzha e parandalon përfitimin e tregtarëve në kurriz të konsumatorit. Natyrisht kemi edhe detyrime që i paguhen shtetit nga importimi dhe konsumi i naftës, megjithatë të hyrat që i siguron shteti nga shitja e naftës përdoren për subvencionim të bujqve dhe kjo e parandalon largimin e këtyre parave nga Kosova”, ka nënvizuar Mjeku.

Tani për tani në Kosovë është duke u aplikuar një marzhë prej 4 për qind në shitjen e naftës me shumicë dhe 6 për qind në shitjen e naftës me pakicë.