Lajme

Arrestohet shtetasi i Shqipërisë, i gjenden 12 paketime me marihuanë të fshehura në makinë

Një shtetas i Shqipërisë është arrestuar nga Policia e Kosovës pasi të njëjtit i janë gjetur 12 paketime me lëndë narkotike e cila dyshohet të jetë marihuanë.

Përmes një njoftimi nga Policia e Kosovës, loklalizimi i të dyshuarit dhe kapja e tij në rrugën Prizren-Prishtinë, në afërsi të Komoranit ka ndodhur pas një pune hetimore nga hetuesit e Sektorit qendror të antidrogës në Prishtinë.

“Njësitet policore dhe ato të antidrogës në bashkërendim, konkretisht NjKA (Njësia e Kontrollit të Autostradës) ka ndaluar automjetin e lartcekur kombi (furgon) afër rrethit të autostradës në hyrje të Fushë Kosovës. Është kryer kontrolla fillestare nga zyrtarët e trafikut dhe pas dyshimeve të ngritura është bërë një kontrollë më e detajuar nga hetuesit e Sektorit qendror të antidrogës ku është arritur të zbulohet një bunker (vend i kamufluar për narkotikë) në pjesën e prapme të ulëseve, ku në brendi të saj (bunkerit) kishte narkotikë të dyshuar të llojit Marihuanë”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Tutje, PK-ja ka njoftuar se përveç lëndës narkotike si dëshmi, të dyshuarit i janë sekuestruar, lek shqiptare, euro, funta të Anglisë, si dhe dy telefona.

“Si dëshmi nga i dyshuari janë sekuestruar: 60.450 Lekë Shqiptar, 329 euro, 250 funta të Anglisë si dhe dy telefona celuar Nokia me Sim kartelë të Kosovës, kurse një Iphone me sim kartelë të Shqipërisë. Pas matjes së dymbëdhjetë (12) paketimeve me narkotikë pasha e tyre ka rezultuar të jet: tetë (8) kilogram e 740 gramëve”.

Me urdhër të prokurorit, automjeti-kombi është dërguar për kontrollë më të detajuar nga njësitet kompetente ndërsa, pas intervistimit nga hetuesit e antidrogës i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

Policia ka njoftuar se një aksion të bastisjes e kanë zhvilluar edhe në Prizren. Nga ky aksion është arrestuar një person i cili ishte në kërkim si dhe janë sekuestruar dëshmi relevante për procedurat ligjore./Shqip.com