Arrestohet personi që sulmoi alpinisten Mrika Nikçi

Një rast i rëndë ka ndodhur në qytetin e Pejës. Alpinistja Mrika Nikçi është sulmuar seksualisht në qendër të qytetit të Pejës.
Këtë e ka bërë të ditur vetë alpinistja përmes një video të publikuar në rrjetin social në Facebook.
“Me datë 27. 09.2022, në ora 20.50, në qendër të qytetit te Pejës isha viktimë e sulmit seksual, veprim vandal i cili është kryer me paramendim nga personi F.B, anëtarë i një familje të njohur në qytetin e Pejës” ka shkruar Nikçi.
E Policia e Kosovës ka arritur që ta arrestojë edhe personin që dyshohet se sulmoi alpinisten Nikçi.
Lajmin për Shqip.com, e ka konfirmuar Driton Rugova, zëdhënës në Policinë e Kosovës për rajonin e Pejës.
“Më datën 27 rreth orës 19:40 policia është informuar për një rast që ka ndodhur në rrugën “Ëesley Clark” në Pejë. Ka ndodhë rasti i ngacmimit seksual. Policia ka punuar intesivisht për kapjen e autorit, dhe sot është bërë arrestimi i tij. I njëjti me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë”, ka thënë Rugova.
E babi i saj që po ashtu është alpinist, Arianit Nikçi lidhur me këtë rast në një prononcim për Shqip.com ka thënë se sulmuesi është person i njohur për qytetin e Pejës.
“Organet kompetente do të merren me personin, është zbuluar kryerësi, presim organet e kompetente me i ndërmarr veprimet e veta adekuate. Është person i njohur në qytetin e Pejës” ka thënë babi i Mrika Nikçit.
Nikçi është femra e parë shqiptare dhe femra më e re në botë që ka ngjitur të gjitha Shtatë majat.
Më 15 gusht 2019, kur ishte shtatëmbëdhjetë vjeç, ajo u bë femra më e re në botë që ka ngjitur të gjitha Shtatë majat, së bashku me babai e saj Arianit Nikçi (alpinist shqiptar).
Ata e arritën këtë qëllim pas projektit të tyre Mrika Seven Summits./Shqip.com