Lajme

(Video) Alpinistja Mrika Nikçi sulmohet seksualisht në qendër të qytetit të Pejës

Sulmi ndaj alpinistes Mrika Nikçi

Alpinistja Mrika Nikçi është sulmuar seksualisht në qendër të qytetit të Pejës.

Ajo përmes një video të publikuar ka shfaqur momentin kur ajo sulmohet seksualisht nga një person.

“Me datë 27. 09.2022, në ora 20.50, në qendër të qytetit te Pejës isha viktimë e sulmit seksual, veprim vandal i cili është kryer  me paramendim nga personi F.B, anëtarë i  një familje të njohur në  qytetin e Pejës” ka shkruar Nikçi.

Ajo ka shtuar se si pasojë e kësaj situate, për momentin është në gjendje të rëndë emocionale dhe nuk mund të deklarohem në tërësi.

“Unë dhe familja u jemi mirënjohës organeve kompetente dhe qytetarëve të cilët me angazhimin e koordinuar, dhe shumë shpejtë, mundësuan identifikimin dhe arrestimin e sulmuesit i cili ka lënë një vragë të shëmtuar në jetën time”, ka shtuar më tutje Nikçi.

Edhe në Raportin Policor, të datës 27 shtator thuhet se një vajzë nga qyteti i Pejës, është sulmuar seksualisht nga ana e një personi të panjohur.

Raportohet se viktima femër kosovare derisa ishte duke ecur nëpër një rrugicë, nga një person mashkull i pa njohur për viktimën, është ngacmuar seksualisht pa dëshirën e saj. Në konsultim me prokurorin rasti është iniciuar si me lartë. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin e Policisë.

E babi i saj në një përgjigje për Shqip.com, Arianit Nikçi ka thënë se sulmuesi është person i njohur për qytetin e Pejës.

Arianit Nikçki dhe Mrika Nikçi

“Organet kompetente do të merren me personin, është zbuluar kryerësi, presim organet e kompetente me i ndërmarr veprimet e veta adekuate. Është person i njohur në qytetin e Pejës”.

Nikçi është femra e parë shqiptare dhe femra më e re në botë që ka ngjitur të gjitha Shtatë majat.

Më 15 gusht 2019, kur ishte shtatëmbëdhjetë vjeç, ajo u bë femra më e re në botë që ka ngjitur të gjitha Shtatë majat, së bashku me babai e saj Arianit Nikçi (alpinist shqiptar).

Ata e arritën këtë qëllim pas projektit të tyre Mrika Seven Summits./Shqip.com