Lajme

Arrestohet një 30-vjeçar në Prishtinë, dyshohet për disa grabitje të armatosura

Ilustrim

Një person është arrestuar të premten në Prishtinë gjatë një operacioni policor për parandalimin dhe zbulimin e veprave penale si dhe goditjen e individëve dhe grupeve kriminale.

I arrestuari është 30-vjeçar me inicialet L.S.

Për të njëjtin, sipas policisë, ekziston dyshimi i arsyeshëm se ka qenë i përfshirë në tri raste të grabitjeve të armatosura dhe një tentim grabitje.

“Raste këto të ndodhura gjatë këtij viti, në lagjen Lakrishte dhe Emshir”, thuhet në njoftimin e policisë.

Pjesë e operacionit, ka qenë edhe kontrolli i vendbanimit të personit të dyshuar, i cili është realizuar me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake.

“Policia aty ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri,  14 fishekë si dhe gjësende të tjera që mund të shërbejnë si prova për rastet”.

Ndaj të dyshuarit, me aktvendim të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit, është shqiptuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.

Ndërsa, po vazhdon puna hetimore për zbardhjen e plotë të dyshimeve të ngritura për implikimin e të dyshuarit edhe në disa raste të tjera që po hetohen nga ana e policisë./SHQIP.com