Lajme

Arrestohet në Dubai Erlind Cekaj, shkaktoi dëm financiar 6.1 mln euro

Arrestohet në Emiratet e Bashkuara Arabe, Erlind Cekaj, i kërkuar për mashtrim.

Cekaj në bashkëpunim me subjekte të tjera që punonin për një kompani të quajtur “IT PumaTS/SM Company”, të lidhur me kompaninë “Milton Group”, kanë qenë pjesë e një rrjeti të krimit të organizuar që shfrytëzonin platformat mashtruese dhe vepronin në mbarë botën. Ky rrjet drejtohej kryesisht nga qendrat e thirrjeve në Gjeorgji, Ukrainë, Maqedoni e Veriut, Shqipëri, etj.

Ndaj Cekajt, GJKKO me vendimin e 18 tetorit të 2023-shit, caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tij, për veprat penale të “Mashtrimit”, “Forma të veçanta të bashkëpunimit, grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Hetimet kanë nisur në vitin 2021 nga disa vende, si Spanja, Gjermania, Suedia, Finlanda, Letonia, Ukraina, Gjeorgjia dhe Shqipëria, nën koordinimin e “Eurojust”.

“Rrjeti kriminal, në bashkëpunim me platforma të tjera mashtruese, si “Absolut Global Markets”, “AurumPro”, “Finaxis”, etj, ka mashtruar qindra persona nga vendet e Bashkimit Europian, duke u shkaktuar atyre dëme financiare që arrijnë në miliona euro”, thuhet në njoftim.

/Shqip.com